Ata janë fitues të Kupës së Federatës për U-18, eventit sportiv të zhvilluar pak ditë më parë në Elbasan.

Pas një rivaliteti të fortë dhe ndeshjeve te luftuara deri në minutat e fundit, djemtë e Teutës u shpallën më të mirët mes 16 ekipeve pjesëmarrëse në këtë aktivitet, të organizuar nga Federata Shqiptare e Basketbollit.

Për trajnerin Besim Dervishaj ekipi luftoi fort për t’u shpallur fitues, por vend për përmirësime ka akoma.

“Rivaliteti mes ekipeve ishte mjaft i fortë dhe çdo ndeshje e luajtur ishte shumë e rëndësishme për çdo ekip të U-18”,- thotë Dervishaj për “DurrësLajm”.

Pas Kupës së Federatës, një tjetër sfidë e rëndësishme i pret djemtë, kampionati i basketbollit për U-18, që starton këtë të premte. Djemtë janë të motivuar të japin më të mirën.

Për kapitenin Joel Lluri “ekipi bëri një paraqitje shumë dinjitoze në Kupë dhe kjo u shpërblye me fitore në ndeshjen finale. Objektivi i radhës është fitimi i kampionatit”.

Të njëjtin objektiv kanë edhe dy shokët e tij të ekipit Jurgen Balanca dhe 15-vjeçari Aron Çyrfyqja, që në ndeshjet e zhvilluara në Kupën e Federatës kanë qenë ndër lojtarët më të mirë të skuadrës së Teutës.

Megjithëse disa janë më të vegjël, e të tjerë pak më të rritur, basketbolli për ta nuk është thjesht pasion momenti, sepse dëshirojnë jo pak që ta vazhdojnë angazhimin në sport, e pse jo një ditë të bëhen pjesë e ekipit kombëtar.

“Kam shumë dëshirë të luaj me ekipin kombëtar, do mundohem të jap më të mirën këtë vit në kampionat”,- thotë shtatlarti Çyrfyçja.

Sfida e radhës për djemtë është ekipi i Superiorit, kundër të cilit triumfuan në përballjen e Kupës. Deri të premten, kur starton kampionati, i gjithë ekipi i është nënshtruar stërvitjes intensive për të dhënë më të mirën në ndeshjen hapëse.

M.B.