Pas protestës së tre ditëve më parë para Prokurorisë së Durrësit, banorët e pallatit nr.7, rruga “3 vëllezërit Thanasi” kanë protestuar mëngjesin e sotëm para gropës së pallatit të ri që sapo ka nisur të ndërtohet. Ata akuzojnë të gjitha institucionet përgjegjëse për korrupsion, sepse sipas tyre askush nuk është interesuar për t’u dhënë përgjigje konkrete për shqetësimin që ngrejnë.

“Këta janë të gjithë të korruptuar. Kryeprokurorja e Durrësit na përcolli tek shefi i komisariatit. Me pak fjalë ka marrë fund kjo punë, sepse janë të gjithë të korruptuar”,- deklarojnë banorët.

Sipas banorëve, firma që po ndërton pallatin e ri vazhdon punën e pashqetësuar megjithëse ka një çështje të hapur në prokurori.

Firma Jedas në Durrës është katastrofë është fakt i ditur. Ajo është në hetim nga prokuroria për ndërtime katastrofike. Dy vite pas tërmetit, shteti lejon akoma që të ndodhin gjëra të tilla”.

Banorët e godinës 8 katëshe me dëme DS3 kërkojnë urgjentisht pezullimin e punimeve, sepse pallati i tyre ende i pa rikonstruktuar rrezikon shembjen.

Ata kërcënojnë me ndërmarrjen e veprimeve ekstreme, nëse institucionet vazhdojnë të bëjnë veshin e shurdhët për ankesat e tyre.

“Do ngremë çadër, do futemi në grevë urie. Kanë 3 muaj pa na dhënë bonusin e qirasë. Këta tallen me ne”,- tha një prej banorëve.

M.B.