“Situatë mjaft e favorshme për sektorin imobiliar”.

Kështu e cilëson stinën e verës, administratori i agjencisë imobiliare “Mei Smart”, në Durrës, Florian Tahiri. Sipas tij, kthimi në atdhe i shumë emigrantëve shoqërohet me rritjen e kërkesave për blerjen e një banese. Aktualisht më të preferuarat mbeten apartamentet përgjatë vijës bregdetare, sidomos ato me pamje nga deti.

“Nga Agipi e deri në Golem e Malin e Robit ka kërkesa të shumta për apartamente. Edhe për Gjirin e Lalzit ka kërkesa, por ajo është një zonë më e shtrenjtë, përsa i përket çmimit të apartamenteve apo vilave”,- thotë Tahiri për “DurrësLajm”. Ndërsa në qytet, apartamentet që ndodhen në zonën e ish-Vollgës apo përgjatë rrugës paralel me portin janë më të kërkuarat.

Njerëzit duket se nuk e kanë harruar tërmetin e 26 nëntorit 2019, kohë kur mijëra godina në qytet u dëmtuan rëndë. Sipas Tahirit, klientët, pikë së pari, kërkojnë të kenë sa më shumë informacion për fortësinë e godinës.

“Për çdo blerje ata kërkojnë akt-konstatimin. Kur godina nuk ka pasur dëme po dëmet kanë qenë minimale, interesi është i lartë. Në rastet kur bëhet fjalë për godina me dëme DS3, çmimi ka rënë ndjeshëm”,– shpjegon Tahiri.

Po sa variojnë çmimet e apartamenteve në tregun imobiliar?

Tahiri shpjegon se ka çmime të ndryshme, në varësi të zonës ku do të blihet apartamenti.

Më të shtrenjtat variojnë nga 1000-1500 euro metri katror dhe kryesisht janë çmime që i kanë apartamentet në Gjirin e Lalzit. Ndërsa çmimi i vilave, në po të njëjtën zonë, në varësi të sipërfaqes dhe afërsisë me bregun e detit variojnë nga 250 mijë – 400 mijë euro, por edhe më shtrenjtë.

“Përgjatë vijës bregdetare, çmimi për metër katror i apartamenteve që ndodhen në vijën e parë varion 900-1000 euro. Në vijë të dytë dhe të tretë, çmimet variojnë nga 500 euro deri në 650 euro për metër katror”,- thotë Tahiri.

Por ka dhe apartamente më të lira në zonën e plazhit, çmimi i të cilave varion nga 450-600 euro, kryesisht ato që kanë mbetur të pashitura prej vitesh.

Ndërkohë, brenda në qytet, në zonën e qendrës, çmimi për metër katror i apartamenteve vërtitet rreth 700-1000 euro. Në lagjet më periferike, çmimet variojnë në 500-700 euro.

Administratori i Mei Smart tregon se krahas çifteve të reja, apartamentet kërkohen edhe nga shtetas të huaj si psh. çekë, italianë apo nordikë.

Ai është i bindur se investimet për ndërtimin e portit të ri turistik në Durrës, Ekoparkun, apo portin e ri të mallrave në zonën e Porto Romanos do ta rrisin në vitet në vijim kërkesën për blerje apartamentesh në Durrës.

Përsa i përket apartamenteve me qira, Tahiri deklaron se pas tërmetit të 26 nëntorit, pati ndryshim në çmimin e qirasë mujore dhe shkak u bë bonusi i qirasë që akordohet për familjet e dëmtuara dhe që ende nuk janë kthyer në banesë. Krahasuar me gati 2 vite më parë, qiraja për apartamente 1+1 2+1 dhe 3+1 janë rritur minimalisht me 5000 lekë.

M.B.