Në prag të 100-të vjetorit të lindjes

Një përqafim që mbeti ëndërr

-Dy vëllezër që nuk u takuan kurrë
Historia e dhimbshme e artistit që bëri Shqipërinë të qeshë

-Drama e heshtur në jetën e aktorit të madh Nikolin Xhoja

Nga BUJAR QESJA

Në historinë e artit shqiptar, ka emra që mbeten të pavdekshëm jo vetëm për talentin, por edhe për jetën e tyre të mbushur me dhimbje, sakrifica dhe ngjarje që ngjasojnë me skenarët e filmave dramatikë.

Një prej tyre është padyshim Nikolin Xhoja, mjeshtri brilant i humorit dhe komedisë shqiptare, nga themeluesit e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit dhe artisti, që i dha skenës shqiptare dhjetëra role të paharrueshme.

Më 12 maj të këtij viti, mbushen 100 vjet nga lindja e tij. Një shekull nga ardhja në jetë e aktorit, që do të bënte të qeshnin breza të tërë shqiptarësh, por që në zemër mbajti një plagë të heshtur, një dramë njerëzore që pak kush e ka njohur.

U ind më 12 maj 1926, në Brindisi të Italisë. Ishte biri i Nikolla Xhojës, biznesmen i njohur i kohës, pronar fabrike peshku dhe anijesh peshkimi. Nëna, Parashqja, ishte një grua elegante dhe e zgjuar, që merrej me tregti, duke sjellë mallra nga Italia për t’i shitur në Durrës. Një histori dashurie i bashkoi të dy. Nikolla u mahnit nga bukuria dhe finesa e saj dhe shumë shpejt u martuan. Nga kjo martesë lindën dy djem: Nikolini dhe Minelio.

Por jeta nuk ecën gjithmonë sipas ëndrrave njerëzore.
Nikolla, nga dëshira për ta lehtësuar bashkëshorten, vendosi një dado për rritjen e Nikolinit të vogël. Pa kuptuar, nëna nisi të largohej emocionalisht nga djali. Dhe kur lindi fëmija i dytë, Parashqja u frikësua se historia do të përsëritej. Zemra e saj e nënës, nuk e pranonte dot atë largësi. Në një vendim të fortë dhe dramatik, mori Nikolinin e vogël dhe u largua fshehurazi nga Brindisi drejt Durrësit, pa i thënë asgjë bashkëshortit.

Kështu nis, nga historitë më prekëse të jetës së artistit të ardhshëm. Nikolini u rrit në Durrës, larg të atit dhe larg vëllait të tij, Minelios. Dy vëllezërit nuk do ta njihnin kurrë njëri tjetrin. Fati kishte shkruar, një dramë të dhimbshme për ta.

Që në moshë të re, Nikolini ishte çirak tek mjeshtri i njohur Cin Daberdaku, i cili riparonte dhe jepte biçikleta me qira. Dyqani ndodhej përballë Bashkisë së Durrësit, nga zonat më të njohura të qytetit. Aty punonte djaloshi i ri, ende pa e ditur se një ditë do të bëhej nga ikonat e skenës shqiptare.

Dhe pikërisht aty ndodhi ngjarja, që të copëton shpirtin. Ishte koha e Luftës Italo-Greke. Një autokolonë e ushtrisë italiane, ndaloi për pak çaste në Durrës. Mes ushtarëve ndodhej edhe Minelio Xhoja, vëllai i Nikolinit. Kishte marrë vesh, se i vëllai jetonte në këtë qytet dhe me shumë lutje ndaj komandës, siguroi vetëm pak minuta leje për ta takuar.

Emocionet ishin të mëdha. Të dy vëllezërit, nuk e kishin parë njëri tjetrin. Minelio mezi priste ti hidhej në qafë dhe mbase të përqafoheshin për herë të fundit. Drama e mos njohjes, do të shoqërohej me të tjera drama.

Me nxitim mbërriti te dyqani i Cin Daberdakut.
-Kërkoj Nikolinin… jam vëllai i tij!

Kështu i foli me padurim pronarit, Minelio Xhoja. Por fati edhe këtë herë, tregoi mizorinë e vet. Cin Daberdaku i shpjegoi se Nikolini, sapo ishte nisur për një porosi në shtëpinë e tij dhe do të vononte pak minuta. Vetëm pak minuta…

Por autokolona ushtarake nuk priste. Minelio nuk kishte kohë. Ushtarët duhet të nisnin marshimin drejt frontit grek. Priti sa mundi, me shpresën se do të shfaqej i vëllai, që nuk e kishte parë kurrë në jetën e tij. Pastaj u largua mes ngashërimit.

Dhe ikja e tij, do të ishte pakthim. Në luftën Italo-Greke, Minelio Xhoja mbeti i vrarë. Dy vëllezërit, nuk arritën të takoheshin kurrë. I ndau lufta, koha dhe vetëm disa minuta fatale. Kjo histori prekëse, vjen nga dëshmia e 93-vjeçarit Palush Gjoni, mik i ngushtë i Nikolin Xhojës, që e ka ruajtur këtë kujtim, si amanet të dhimbshëm të jetës së artistit.

Ndoshta kjo dramë njerëzore, e bëri Nikolinin aq të ndjeshëm në interpretim. Aq të vërtetë në skenë. Aq njerëzor në artin e tij. Xhoja nuk ishte thjeshtë aktor komedie. Ishte një njeri, që mbante brenda vetes plagë të mëdha.

Në skenë dhe ekran, shkëlqeu me madhështinë e talentit. Ishte ndër themeluesit e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Luajti në 11 premiera të Estradës dhe në shumë role të tjera teatrale e kinematografike. Publiku shqiptar, nuk do ta harrojë si prefektin e famshëm te komedia “Prefekti”, në rolin brilant të Qazim Mulletit, si Podgoriseni te “Martesa”, si Aristoteli tek “Karnavalet e Korçës”, si Rapo Tabani tek dramatizimi “Koha e Komisarëve”, apo si Xha Beqo te filmi “Kapedani”.

Nikolin Xhoja ishte mjeshtër i komedisë, i mimikës, i batutës, i finesës artistike. Një aktor që publiku e deshi pa masë. Por pas buzëqeshjes së tij artistike, fshihej një histori e heshtur, e mbushur me mall e dhimbje. Historia e një vëllai, që e kërkoi me dëshirë të zjarrtë, por nuk arriti ta përqafonte kurrë.

Më 25 tetor 1987, Nikolin Xhoja u nda nga jeta në moshën 61-vjeçare. Shqipëria humbi një artist të madh, ndërsa Durrësi nga ikonat e veta më të dashura.

Në vigjilje të 100-të vjetorit të lindjes, kujtojmë jo vetëm artistin e madh të humorit shqiptar, por edhe njeriun me një histori prekëse, që duket sikur është shkruar nga vetë jeta, për të na treguar se ndonjëherë, tragjeditë më të mëdha ndodhin në heshtje.

Dhe ndoshta, diku përtej kohës, dy vëllezërit më në fund janë takuar.

Bujar Qesja
Durrës: 8 maj 2026