Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli zhvilloi sot një takim pune me përfaqësues të bizneseve, që operojë në qytetin e Durrësit.
Të pranishëm në takim ishin dhe kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Artan Luku dhe drejtori i degës doganore Durrës, Denis Shabani.
Gjatë diskutimeve me të pranishmit në takim drejtori Gazheli u shpreh se “doganat mbeten të angazhuara në misionin e lehtësimit të procedurave doganore dhe mbrojtjes së tregtisë së ndershme” si dy nga shtyllat kryesore të punës së inspektorëve tatimorë në të gjithë vendin.
Në të njëjtën kohë, ai e vuri theksin te digjitalizimi i shërbimeve teksa dha lajmin se brenda vitit të gjitha procedurat doganore do të jenë online nëpërmjet E-Albania!
Drejtori i Doganave i ftoi bizneset të aplikojnë për statusin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar, (OEA) i cili jepet për “bizneset me besueshmëri” që mund të përfitojnë nga shumë thjeshtime doganore.
Drejtori i përgjithshëm i Doganave kishte zgjedhur t’i niste nga Durrësi takimet me biznesin edhe për faktin se dega doganore vendore sjell në arkën e shtetit 40% të të ardhurave që arkëtohen nga doganat në të gjithë vendin.
Nisur nga kjo statistikë, rëndësia që merr qyteti nr.2 i Shqipërisë dhe porti më i madh në vend në shkëmbimet tregtare me jashtë forcohet edhe më shumë, pasi ai është porta hyrëse për dy shtete. Dogana e Durrësit mbulon volumet tregtare të eksport-importeve të Shqipërisë dhe Kosovës, duke krijuar kështu një rast unik jo vetëm për rajonin e Ballkanit, por edhe Evropën.
Marrëdhëniet e Doganave me biznesin janë vlerësuar mjaft pozitivisht nga vetë përfaqësuesit e biznesit gjatë 3 viteve të fundit.
Sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë (AmCham), marrëdhëniet me Doganat në vitin 2023 arritën nivelin më të lartë krahasuar me të gjitha institucionet, rreth 64.4%.
Ndërsa sipas studimit “Doing Bussines in Albania 2023”, nga Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri, (FIAA) Dogana ka përmirësuar me 3 pikë renditjen krahasuar me vitin 2022 dhe ka vlerësimin më të lartë (75/100) nga të gjitha institucionet shqiptare.