Gjykata e Durrësit dha masën e sigurisë “Arrest në burg” për dy të arrestuarit që u kapën me 7.3 kg kokainë, në portin e Durrësit gjatë fundjavës që lamë pas. Mbrojtja kërkoi arrest në shtëpi për dy të arrestuarit që janë edhe kushërinj: Arjan Doçi dhe Mentor Çuni ose garanci pasurore.

Seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërkohë që është ende në kërkim shtetasi Fatbardh Çuni, administrator i kompanisë së cilës i përket furgoni ku u gjet kokaina. Ai është emigrant prej 11 vitesh në Angli.

Sakaq vijojnë hetimet e thelluara për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti dhe ndërkohë po bashkëpunohet ngushtësisht me autoritetet ligjzbatuese dhe homologët e Britanisë së Madhe, për të bërë të mundur kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.

Operacioni policor i koduar “Pakot”, u zhvillua të shtunën më 25 maj nga Policia Kufitare e portit të Durrësit, në bashkëpunim me DVP Durrës, Departamentin e Policisë Kriminale dhe autoritetet doganore të portit.