Lirohet nga qelia kandidati për deputet i Nismës “Shqipëria Bëhet” i arrestuar një ditë më parë pasi u kap me kokainë.
Ergys Isufi u lirua nga ambientet e Policisë së Sarandës rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme, por në mungesë të një deklarate zyrtare për ndalimin e tij nuk dihet të jetë ngritur apo jo ndonjë akuzë.
Që nga dita e djeshme, kandidati i Adratik Lapajt në listë të hapur për zgjedhjet parlamentare, nuk do të jetë më pjesë e kësaj force. Lapaj njoftoi largimin e tij nga koalicioni dhe theksoi se kandidati i arrestuar nuk përfaqëson më Koalicionin Nisma “Shqipëria Bëhet”.
Ergys Isufaj u ndalua një ditë më parë nga policia teksa udhëtonte së bashku me një person tjetër të mitur, nga Saranda drejt Borshit aty ku edhe do të kishte një miting elektoral dhe më tej do të nisej në Tiranë për të marrë pjesë në takimin përmbyllës të fushatës që do të mbante sot “Nisma Shqipëria Bëhet”.
Gjatë kontrollit kandidatit iu gjet doza e kokainës që dyshohet ta kishte për përdorim vetjak. Gjatë kontrollit, Isufi fillimisht ka tentuar të largohet, por është ndaluar dhe neutralizuar nga uniformat blu.
Gjatë ditës së djeshme u ushtruan kontrolle edhe në banesën e Ergys Isufit, por nuk iu gjet asgjë e jashtëligjshme.