Këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipa ka ngritur një padi prej 15 milionë dollarësh ndaj Samsung, duke akuzuar kompaninë se ka përdorur imazhin e saj në kutitë e televizorëve pa miratim.

Sipas padisë së depozituar në Gjykatën Federale të Kalifornisë, Samsung dyshohet se ka vendosur një fotografi të artistes në paketimet e disa modeleve të televizorëve të shitura në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në dokumentet gjyqësore thuhet se kompania ka tentuar të përfitojë nga fama dhe imazhi i Dua Lipës për të promovuar produktet e saj. Padia përfshin akuza për shkelje të të drejtave të autorit, përdorim të paautorizuar të imazhit dhe shkelje të markës tregtare.

Sipas ekipit ligjor të artistes, fotografia është realizuar gjatë performancës së saj në festivalin Austin City Limits Music Festival në vitin 2024 dhe të drejtat e autorit mbi imazhin i zotëron vetë këngëtarja.

Dua Lipa mësoi për herë të parë për përdorimin e fotografisë së saj në qershor të vitit 2025, pasi fansat nisën të postonin në rrjetet sociale foto të kutive të televizorëve, duke i quajtur ato “Dua Lipa TV Box”.

Në padi përmenden edhe komente të përdoruesve në Instagram, ku disa shkruanin se do ta blinin televizorin vetëm sepse në kuti ishte fotografia e artistes.

Avokatët e këngëtares pretendojnë se Samsung ka injoruar kërkesat e përsëritura për të ndaluar përdorimin e imazhit të saj.