Nëna 23-vjeçare, Ile Gjuni, është bashkuar me djalin e saj, Amarin pas më shumë se 1 jave. Ditën e sotme, vjehrra e saj Barie Gjuni vendosi që ta dorëzonte nipin në polici.

Pasi ka marrë djalin nga Policia e Durrësit, Ile Gjuni e shoqëruar nga efektivët është larguar për në banesën e saj.

Në një deklaratë të shkurtër për mediat, 23-vjeçarja me lot në sy u shpreh se e ka përjetuar shumë keq rrëmbimin e të birit nga gjyshërit e tij nga ana e të atit, duke shtuar se tashmë 3-vjeçari është në duar të sigurta.

Pyetjes, “A do i lejosh gjyshërit ta marrin sërish?”, ajo iu përgjigj: “E di shteti dhe prokuroria, gjykata”.

Një ditë më parë, Gjykata e Durrësit la në burg gjyshin e të miturit Rexhep Gjuni, si dhe kunatin e tij, pasi akuzoheshin për rrëmbimin e vogëlushit. Të hënën, nëna e të miturit deklaroi për mediat se i ishte marrë djali nga gjyshërit, pasi e kishte çuar për disa orë në shtëpinë e tyre, në fundjavë.