Për fëmijët e Qendrës Komunitare me Aftësi të Kufizuara në Durrës kjo e sotmja ka qenë një ditë ndryshe.

Nën shoqërinë e prindërve të tyre dhe stafit të qendrës, ata patën mundësi të shijojnë hamburgerat specialë të kompanisë Orex.al, por edhe të argëtoheshin nën tingujt e muzikës dhe momenteve gazmore të krijuara nga kllounët.

Kompania Orex.al, në kuadër të ditës ndërkombëtare të hamburgerave, kishte vendosur t’i njihte fëmijët e kësaj qendre me specialitetet që ofrojnë prej mëse një viti në qytetin bregdetar.

Me hamburgerat e preferuar dhe nën shoqërinë e njëri-tjetrit, fëmijët me aftësi të kufizuara kaluan një ditë si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre.

Qendra Komunitare me Aftësi të Kufizuara në Durrës ofron shërbime me bazë komunitare për fëmijë me aftësi të kufizuar të grupmoshës 2-21 vjec, me synim arritjen e gjithëpërfshirjes së tyre në kopshte, shkolla dhe komunitet.

Qendra Komunitare e Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara u krijua në vitin 2016 nga një projekt i organizates Save the Children, në partneritet me shoqaten “Ndihmoni Jetën” dhe në bashkëpunim me Bashkinë Durrës. Me përfundimin e projektit, në janar të vitit 2019, Qendra ka kaluar tërësisht nën administrimin e Bashkisë Durrës.