Pirgje me inerte dhe mbeturina urbane që zënë komplet trotuarin, por edhe një pjesë të rrugës, ku shpesh automjetet mezi kalojnë. Skelat janë vendosur prej rreth një viti, por punimet e rikonstruksionit janë ndërprerë prej kohësh.

Kjo është situata aspak normale me të cilën përballen prej muajsh banorët e pallatit nr 786, në lagjen nr.18 në Durrës. 

Një ditë më parë janë interesuar në bashki, por përgjigja e marrë nuk është premtuese.

“Fola me disa punonjës dhe më thanë se do interesohen që të fillojë puna sapo të vijë buxheti”,– thotë një nga banorët.

“Nuk kanë fonde, u kanë mbaruar. Edhe punëtorët nuk janë paguar dhe nuk vijnë për të punuar”,– shton një qytetare, që u referohet thënieve të punëtorëve që po kryejnë rikonstruksionin e pallatit.

“Nuk ndihemi të sigurt në pallat, kanë punuar për faqe të zezë“,- tregon për “DurrësLajm” një tjetër qytetar.

Përveç punimeve të papërfunduara, banorëve të pallatit me dëmtime DS3 u kanosen edhe rreziqe të tjera. Pak ditë më parë, banorët kanë parë një gjarpër të dalë nga pirgjet e mbeturinave, ndërsa skelat në pjesën e prapme të pallatit mund t’u lehtësojnë punën hajdutëve për të hyrë në apartamente.

Apeli i vetëm drejtuar autoriteteve nga 50 familjet e këtij pallati është përfundimi i punimeve dhe largimi sa më parë i inerteve.

4 vite pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, procesi i rindërtimit në Durrës mbetet ende larg përfundimit. Janë mbi 2000 familje që prej 5 muajsh nuk marrin bonusin e qirasë dhe janë ende në pritje të sistemimit në shtëpitë e tyre. Riparimi/riforcimi i pallateve nuk ka përfunduar në të gjithë bashkinë, ndërsa në shumë godina punimet janë lënë përgjysëm.

M.B.