Kanali i ujërave të larta që kalon mes për mes njësisë administrative Rrashbull është një shqetësim prej vitesh për banorët e gjithë kësaj zone. Të përmbytur thuajse çdo dimër, për ta pastrimi i kanalit është kërkesë primare drejtuar pushtetit vendor.

Banorët deklarojnë se pastrimi i fundit është bërë rreth 7 muaj më parë, por gjendja në të cilën është sot kanali përgjatë gjithë gjatësisë së tij nuk lë shumë vend për koment. I bllokuar nga mbeturinat, kallamishtet etj, kanali i ujërave të larta rrezikon të përmbysë sërish me dhjetëra familje, në rast se regjistrohen reshje të dendura shiu. Edhe ndërhyrjet e herë pas hershme për pastrimin e tij, nuk kanë dhënë rezultatet e pritura, sepse si­ç shprehen vetë banorët, papastërtitë që nxirren jashtë kanalit depozitohen në anët e tij dhe me shiun e parë ato përfundojnë sërish brenda.

Pavarësisht se paguajnë rregullisht taksat vendore, shërbimi i ofruar nga pushteti lokal është larg pritshmërive të banorëve.

“Bashkia dhe qeveria nuk duan t’ia dinë fare jetojmë apo nuk jetojmë. Kemi bërë kërkesë, paratë i paguajmë, pastrim, gjelbërim, kanalizim dhe në fund kanali hyn në shtëpi”,– thotë një nga banorët.

Nga një vëzhgim që “DurrësLajm” bëri përgjatë gjithë gjatësisë së kanalit të ujërave të larta, në shumë pika niveli i tij është afër atij maksimal, duke rrezikuar që me shiun e parë, ujërat të vërshojnë drejt shtëpive e bizneseve. Në disa vende, kanali thuajse nuk duket fare, pasi kallamishtet ngrenë “krye” kudo.

Për të mos folur pastaj për ndotjen mjedisore në nivele alarmante. Sinkron plane.

Shirat e parë të vjeshtës u regjistruan gjatë këtyre ditëve, duke ngritur alarmin për përsëritjen e situatave të ngjashme me ato të viteve të kaluara. Përmbytjet e zonave të ndryshme në Durrës janë një fenomen i përvitshëm dhe pavarësisht premtimeve për investime nga pushteti lokal, banorët luten që dimri i këtij viti të tregohet i mëshirshëm me ta.

M.B.