Banorët e pallatit nr.903 në lagjen nr.7 të Durrësit kanë zhvilluar këtë të shtunë një tjetër protestë para bashkisë, në lidhje me riforcimin e pallatit të tyre, i cili ka dëmtime DS4.

Një muaj më parë, banorët kërkuan të ndërpriten punimet, pasi ishin të shqetësuar sepse forcimi i kolonave të pallatit të tyre po bëheshin teksa ato ishin të zhytura në ujë.

Pas reagimeve të banorëve, kompania që do të kryejë riforcimin e pallatit të tyre ka prej një muaj që ka ndërprerë punimet.

Ndërsa, sot protestuesit kërkojnë që ekspertët të rivlerësojnë edhe njëherë gjendjen e dëmtimeve të pallatit, pasi sipas dokumentave që ata disponojnë, struktura e godinës nuk i përgjigjet kërkesave sizmike.

Te pallati jonë që është klasifikuar DS4 filloi punimet firma ndërtuese dhe duke qenë se gjatë zhvillimit të ndërtimeve, pati problematike ne erdhëm u ankuam në bashki dhe bashkë me banorët e tjerë kërkuam të ndërpriten punimet. Punimet janë ndërprerë. Asnjë përgjigje nuk kemi marrë as nga bashkia as nga inxhinierët. Ne duam që inxhinierët, projektuesit që kanë bërë projektin e pallatit tonë të vijnë dhe të shikojnë dhe njëherë gjendjen reale të pallatit. Unë km njëeksertizë ka instituti i ndërtimit që thotë se struktura e pallatit nuk i përgjigjet kërkesave sizmike.”, tha një nga protestuesit.

Banorët shprehet se nëse nuk do të marrin një zgjidhje nga bashkia do t’i drejtohen SPAK-ut, si e vetmja shpresë për ta.

U bë hera e dytë që mblidhemi dhe si përfundim nëse nuk zgjidhet ne do të përfundojmë në SPAK, sepse problematikat e pallatit askush nuk po i merr përsipër. Askush nuk na jep përgjigje. Çojmë letër me nr protokolli në bashki, qoftë për riforcimin, qoftë për problematikat e tjera. Nuk kemi deri tani asnjë përgjigje.”, tha një tjetër banore.

Banorët kërkojnë që bashkia të marrë masa pasi deri më tani, punimet janë ndërprerë dhe duket se firma dhe instancat përkatëse nuk po ndërveprojnë për zgjidhjen e këtij problemi.