450 jahte dhe megajahte e kanë vizituar portin e Durrësit në 8 muajt e parë të këtij viti duke sjellë të ardhura të konsiderueshme për arkën e buxhetit të shtetit.

Vetëm nga taksa e karburantit në 8 muajt e parë të këtij viti janë realizuar të ardhura në vlerën më shumë se 1 miliardë lekë të reja. Ndërkohë, parashikimi deri në fund të këtij viti është që kjo shifër të jetë 20% më e lartë sesa ajo e një viti më parë.

“Vetëm për 8 muajt e parë, rreth 450 jahte dhe megajahte kanë vizituar portin e Durrësit, ndërsa vetëm në 8 muajt e parë të këtij viti është arritur e njëjta sasi karburanti si në vitin 2023. Deri në fund të vitit pritet të jetë 20% më shumë sesa viti i kaluar. Vetëm në sasi janë rreth 22 mijë tonë, me të cilat janë furnizuar këto jahte me naftë pa akcizë duke sjellë të ardhura nga kjo taksë kombëtare rreth 1.065.000.000 lekë të reja në buxhetin e shtetit, pa llogaritur këtu taksat që këto mjete paguajnë në Autoritetin Portual”,- deklaroi kapiteni i portit, Tauland Allka.

Durrësi e mban prej disa vitesh titullin e kryeqytetit shqiptar të turizmit dhe sezoni i suksesshëm veror i këtij viti është reflektuar edhe në statistikat krahasimore të transportit të pasagjerëve në portin më të madh në vend. Referuar të dhënave zyrtare përsa i përket numrit të pasagjerëve që kanë udhëtuar me tragetet e linjave që lidhin Durrësin me Italinë, shifrat flasin për një rritje me 20%.

Ndërkohë, edhe viti i ardhshëm pritet të jetë sërish i suksesshëm përsa i përket sektorit të turizmit. Sipas të dhënave paraprake, porti i Durrësit pritet të vizitohet përgjatë vitit 2025 nga më shumë mjete lundruese të tipit krocierë.

“Për vitin 2025 parashikohet një rritje me 20% e numrit të krocierave, sepse prenotimet kanë nisur në vitin 2022, kur pandemia pati marrë fund, prandaj do të jetë një numër edhe më i madh”, tha Allka.

Ndërkohë, ditën e sotme, në kalatë ishte ankoruar vizitorja e përvitshme e portit të Durrësit, veliera “Sea Cloud”, që solli në vendin tonë 60 turistë të huaj.

M.B.