Është ndarë nga jeta ish-mësuesi i njohur i Edukimit Fizik, Jovan Bardhi.

I njohur nga breza të tërë nxënësish në shkollën e mesme sportive “Benardina Qerraxhia” në Durrës, profesor Jani siç e njihnin të gjithë ka dhënë një kontribut të çmuar në stërvitjen e ekipeve të volejbollit të kësaj shkolle për dekada me radhë.

Lajmin e ndarjes së parakohshme të tij nga jeta të profesor Janit e ka publikuar në rrjete sociale drejtoria e shkollës ku ndër të tjera i shpreh ngushëllimet bashkëshortes, vajzave dhe djalit të të ndjerit për këtë humbje.

“Me hidhërim të thellë njoftojmë largimin nga jeta të ish-kolegut tonë Z. Jovan Bardhi.

Prof. Jani ka dhënë një kontribut të vyer në shkollën tonë duke stërvitur breza të tërë të ekipeve të volejbollit, prej viteve 1989 deri 2022 me daljen e tij në pension.

Drejtoria e shkollës dhe stafi i mësuesve, i shpreh bashkëshortes, dy vajzave dhe djalit të tij, keqardhjen dhe ngushëllimet e sinqerta për humbjen e parakohshme të Jovanit!”,- shkruhet në postim.