Miratimi i marrëveshjes së bashkëpunimit për zhvillimin e projektit të zonës multifunksionale përreth kompleksit të stadiumit “Niko Dovana” në Durrës, përfshirë stadiumin, mori votat kundër të këshilltarëve opozitarë në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak.
Në emër të grupit, këshilltari Ardian Muka ngriti shqetësimin për mënyrën e menaxhimit të pronës publike dhe rolin e Korporatës së Investimeve Shqiptare në këtë projekt.
Marrëveshja e mëparshme u ndryshua, sepse Fondi Shqiptar i Zhvillimit u tërhoq nga projekti për mungesë fondesh dhe tashmë do të jetë Korporata e Investimeve Shqiptare që do të zhvillojë projektin në zonën në fjalë.
“Siç e kemi theksuar edhe në komision, ngritëm problematikën se, ashtu siç na është paraqitur miratimi për disa ndryshime në vendosjen në dispozicion të projektit, logjika e votimit bazohej në idenë se toka është pronë e bashkisë, ndërsa investimi bëhet nga FSHZH dhe prona i mbetet bashkisë. Bashkia më pas do të kishte në dispozicion ambientet për aktivitete sportive. Ne kemi theksuar se nuk jemi dakord me zhvillimet rezidenciale dhe hoteleritë në atë zonë. Kemi kërkuar që ajo të mbetet pronë e bashkisë, pa ndërtime të tjera për qëllime fitimi.
Korporata e Investimeve Shqiptare, që është një ent i ri rregullator, hyn në bashkëpunim me bashkinë, por nuk investon fondet e saj. Ky ndryshim thelbësor nuk është në përputhje me atë që u miratua në vitin 2023. Në këtë formë, po i jepet një e drejte pronësie apo përfitimi partnerit privat, në shkëmbim të tokës publike.“,- tha ndër të tjera këshilltari Muka.
Drejtoresha juridike në bashki Ani Rroshi, sqaroi këshilltarët se ndryshimi i marrëveshjes së mëparshme bëhet vetëm për pikën 2 dhe 3 të VKB-së nr.125 datë 27.07.2023.
Marrëveshja e bashkëpunimit për zbatimin e projektit në fjalë lidhet tani mes Korporatës së Investimeve Shqiptare, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Bashkisë Durrës.
Kjo pikë u miratua me 27 vota pro dhe 8 kundër. Ndërkohë të gjitha pikat e tjera të rendit të ditës kaluan me unanimitet votash.
Në përfundim të mbledhjes, këshilltari Sami Osmani ngriti disa shqetësime të komunitetit të zonës së ish-Kënetës, që lidheshin me problematikat e furnizimit me ujë dhe mos marrjen e dëmshpërblimit përkatës për përmbytjet që pësuan disa familje në këtë njësi administrative.
Nënkryetari i bashkisë, Gentian Kallmi dha këto përgjigje:
“Sipas informacioneve nga UKD, nuk na konfirmojnë që ka problematikë lidhur me furnizimin me ujë të pijshëm në zonën e Durrësit të ri. Konfirmojnë se ka pasur problematika para disa ditësh, kur u prek i gjithë qyteti i Durrësit dhe njësitë administrative, për shkak të një problemi teknik në zonën e Fushë Kuqes.
Përsa i përket përmbytjeve të janarit, institucioni jonë ka përfunduar në kohë rekord aktet e konstatimeve dhe vlerësimeve. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile përsa i përket fondeve. Vlera e përmbytjeve rezulton goxha e lartë dhe jemi në fazë shqyrtimi për mundësinë e likujdimit të tyre në faza”.
M.B.