Në nisje të sezonit veror, shëtitorja “Taulantia” po i nënshtrohet rehabilitimit.

Hapësira më e madhe publike në qytetin e Durrësit po zgjatet me përreth 150 m në pjesën jugore të saj, një investim ky me vlerë totale 12 milion e 700 mijë lekë të reja.

“Prej një jave kanë nisur punimet në shëtitoren ‘Taulantia’ loti III, punime që për momentin janë në fazë fillestare. Turistët dhe qytetarët e Durrësit do e gjejnë gati në mesin e sezonit. Punimet janë planifikuar të përfundojnë në fund të qershorit.”.- thotë Arbër Hodaj, inxhinier punimesh.

“Investimi që po realizojmë është vazhdim i shëtitores ekzistuese, që është rehabilituar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe bashkia Durrës. Praktikisht është faza e tretë e ndërhyrjes në këtë shëtitore, në një terren që nuk ka qenë i shfrytëzuar deri më tani. Ndërhyrja bëhet në një gjatësi prej 150 metrash. Është një zonë që do të ketë elementët e shëtitores ekzistuese”,- deklaron kryetarja e bashkisë Emiriana Sako.

Krahas investimit që do të realizohet aty, po mendohet edhe për gjelbërimin e kësaj zone.

“Objektiv i punës sonë është dhe shtimi i sipërfaqeve të gjelbra. Në këtë shëtitore do të shtohen 3200m2 gjelbërim. Do të jetë një zonë rekreative që do t’i japë më shumë shërbim qytetarëve të Durrësit, turistëve dhe vizitorëve që vitet e fundit kanë qenë të shumtë në qytetin tonë”,- vijon më tej kryetarja e bashkisë.

Ky nuk është i vetmi investim i planifikuar në shëtitoren bregdetare me fondet e bashkisë.

Një tjetër parashikohet të kryhet gjatë vitit, në segmentin nga pista tek Sfinksi.

K.Gj.