Edhe pse ka kaluar 1 muaj nga mbytja në det e Aurel Ndonit, 40-vjeçarit që humbi jetën në Porto Romano, trupi I tij nde nuk është gjetur.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 17:15, të datës 25 shkurt, kur Ndoni ishte duke peshkuar bashkë me vëllain e tij dhe një person tjetër.

Kërkimet në det nga ana e shërbimeve të Policisë Kufitare, Policisë së Durrësit dhe polumbarëve të RENEA-s nuk kanë pasur rezultat pozitiv dhe për këtë arsye tashmë ato janë ndërprerë.

Sipas policisë, dyshohet se 40-vjeçari ka rrëshqitur nga varka dhe ka rënë në ujë pasditen e 25 shkurtit. Ai është tërhequr nga rryma dhe nuk ka mundur të dalë nga deti.

Një grup i posaçëm hetimor i ngritur për rastin, po kryen hetimet për të zbardhur rrethanat, ku pistat e hetimit janë shtrirë edhe në ndonjë konflikt të mundshëm ose vrasje, por deri më tani asnjëra prej pistave nuk është konfirmuar.

Burimet pranë familjes bëjnë me dije se ata kanë paguar grup privat polumbarësh për të bërë të mundur gjetjen e trupit.

Mësohet se një anije holandeze, e specializuar për të dedektuar trupat në ujë, do të nisë kërkimet në zonë, me shpresën se do të arrijë të lokalizojë trupin e 40-vjeçarit.