Një tjetër mozaik del në dritë në sitin më të ri arkeologjik të qytetit të Durrësit, tek kantieri i ndërtimit të shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti”, ku prej 10 ditësh arkeologët i janë rikthyer gërmimeve të shpëtimit.

Në kompleksin e vilave të shekullit të I & II të erës sonë, që doli në dritë në muajin tetor të vitit të kaluar, grupi i arkeologëve i drejtuar nga profesor Luan Përzhita kanë zbuluar paraditen e sotme një mozaik në ngjyrë qumështi, me gurë blu dhe një tjetër në ngjyrë të kuqe, pjesë e pishinës së vilës antike.

Njëkohësisht kanë dalë në dritë edhe afreske shumëngjyrëshe, pjesë e dekorit të vilës që në kohët antike ndodhej shumë pranë amfiteatrit të qytetit.

Mozaikët e dalë në dritë ndodhen jo shumë larg mozaikut floreal të zbuluar muaj më parë. Është ende herët për arkeologët që të mund të përcaktojnë përmasat e këtyre mozaikëve, pasi do të jenë ditët në vijim që do të japin një kuadër më të plotë të zbulimeve të reja.

Sipas arkeologut Përzhita, gërmimet e shpëtimit janë përqendruar në një sipërfaqe 1200 metra katrorë.

“Gërmimet janë shpërndarë në disa sektorë, duke filluar nga sektori 1 deri në sektorin nr.5”,– thotë Përzhita. (Intervistën e plotë me arkeologun e gjeni në videon e mëposhtme).

Ndërkohë, ende nuk ka nisur puna për zbulimin e plotë të mozaikut të parë floreal, një pjesë e konsiderueshme e të cilit ndodhet poshtë një sasie mjaft të konsiderueshme dherash dhe pemësh shtatlartë, që e vështirësojnë ndërhyrjen në terren.   

M.B.