Në pallatin nr.7, rruga “3 vëllezërit Thanasi”, në zonën e plazhit koha ka ndalur më 26 nëntor 2019. Në godinën 8 katëshe, me dëmtime DS3 dhe një kolonë ku duken fare qartë hekurat e shtrembëruar nuk është vënë dorë, as në ambientet e përbashkëta dhe as në fasada. Por gati dy vite pas tërmetit, më shumë sesa ndërhyrja e munguar për riforcimin e ndërtesës, banorët po i shqetëson një pallat që sapo ka nisur të ndërtohet ngjitur me ta.

“Mjerë ne ça na ka gjet. Po filloi tani me punu batipali, këtu nuk jetohet. Të hyn frika me nejt në pallat”,- thotë njëri nga banorët për “DurrësLajm”.

Megjithëse kanë shkuar disa herë të marrin informacion në bashki, banorët deklarojnë se askush nuk i ka sqaruar.

“Kemi bërë ankesë, kemi hapur edhe gjyq. Asnjë deri më sot nuk na jep përgjigje. Na thonë që firma ka leje ndërtimi. Kur shkojmë me marrë dosjen e projektit, nuk na e jep bashkia”,- thotë banori.

Punimet për pallatin e ri mund ta dëmtojnë edhe më shumë godinën 8 katëshe, ku sipas banorëve, ende pa u hapur gropa për themelet e plintat, ata kanë nisur të konstatojnë se dëmtimet e pësuara 2 vite më parë kanë nisur të theksohen.

“Suvatë, nga më e vogla tek më e madhja po bien nëpër shtëpi brenda në momentin që punojnë mjetet e rënda”,– thotë një nga banorët.

Pallati 8 katësh është ndërtuar nga Abdulla Osmani, i njëjti që kishte ndërtuar hotelin “Tropikal” ku humbën jetën dy vëllezërit Abazi, nga Kosova, ndërsa pallati i ri po ndërtohet nga firma Jedas, e njëjta që ka ndërtuar një nga komplekset më të mediatizuara përsa i përket dëmeve të pësuara nga tërmeti.

Leja për këtë pallat është dhënë në mars 2019 dhe punimet ishin planifikuar të nisnin që atëherë, siç e tregon edhe kjo tabelë e vendosur dy vite më parë, por vetëm tani kompania e ndërtimit ka nisur të zbatojë projektin.

M.B.