Pas gati dy dekadash në postin e drejtorit të Komunales së Plazhit, Alfred Dhuli ka dhënë dorëheqjen.

Dhuli është ndoshta drejtori më “jetëgjatë” në post në varësi të bashkisë Durrës, në këto 33 vite demokraci.

“DurrësLajm” mëson se në vend të tij është emëruar 39-vjeçari Ermal Kapllani (në foton kryesore).

Që nga viti 2017, Kapllani, me arsim të lartë jurisprudencë, punonte pranë kësaj ndërmarrjeje në pozicionin e përgjegjësit të sektorit.

Ndërmarrja Komunale e Plazhit merr një rëndësi të veçantë sidomos para dhe gjatë sezonit veror, kur është përgjegjëse për mbajtjen pastër të ambientit dhe tërheqjen në kohë të mbeturinave urbane përgjatë gjithë zonës turistike.

Aktuliasht, Ndërmarrja e Shërbimit Komunal dhe Komunalja e Plazhit janë të angazhuar për pastrimin dhe mirëmbajtjen e vijës bregdetare nga ku po largohen tonelata me leshterikë.

Në Durrës, aksioni është përqendruar përgjatë shëtitores “Taulantia”, ndërsa do të vijohet me zonën e Currilave dhe Kallmin. Përgjatë muajit maj do të realizohet edhe dezinfektimi dhe dezinsektimi i sipërfaqes së rërës dhe hapësirave publike të qytetit, që gjithçka të jetë gati për nisjen zyrtare të sezonit turistik.

M.B.