Një 35-vjeçar ka mbetur i plagosur me armë zjarri pas një konflikti për motive të dobëta në zonën e Shkafanës, në Durrës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:45 të pasdites së sotme.

Sipas Policisë, gjatë përplasjes verbale mes dy personave, shtetasi A. D., 35 vjeç, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri tip pistoletë ndaj shtetasit M. J., gjithashtu 35 vjeç, i cili është transportuar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar si dhe të bashkëpunëtorit të tij, shtetasit R. A. Të dy janë shpallur në kërkim dhe janë në ndjekje nga Policia.

Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.