Ujërat e zeza derdhen mbi mozaik. Ky është realiteti i trishtë në kantierin e ndërtimit të shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti”, ku ekipi i “DurrësLajm” pa nga afër situatën e krijuar aty.

Ashtu siç raportuam një ditë më parë, pikërisht në vendin ku u zbulua muaj më parë mozaiku me figura gjeometrike dhe floreale që i përket fundit të shekullit të I dhe fillimit të shekullit të II, prania e ujërave të zeza është mjaft evidente. Madje dhe gjelbërimi aty është më i pranishëm se kudo tjetër.

Në kantierin e ndërtimit, përfaqësues të firmës prisnin që nga mëngjesi një grup nga bashkia Durrës dhe SHRUKD për t’i njohur nga afër me situatën.

Jashtë kamerës, ata deklaruan se shpërthimi i ujërave të zeza në kantier ndodh për shkak të bllokimit të pusetave nga dherat, që kanë rrëshqitur prej kodrës, në ditët me shi.

Sipas tyre, ndërhyrja për zhbllokimin e pusetave dhe sistemimin e rrjetit të kanalizimeve duhet bërë me mjete të rënda, por aktualisht ata e kanë të pamundur të punojnë, sepse që nga tetori i vitit të kaluar punimet janë pezulluar pas zbulimit të sitit të rëndësishëm arkeologjik në gropën e themeleve të gjimnazit.

Rredhja e pandërprerë e ujërave të zeza rrezikon seriozisht sitin arkeologjik dhe mund të vështirësojë punën që pritet të nisë për zbulimin e plotë të mozaikut dhe gjithçkaje tjetër që nëntoka e kësaj zone mund të fshehë.

Njëkohësisht, e gjithë zona rrezikon të kthehet në vatër infeksioni me rritjen e temperaturave. Kantieri rrethohet nga pallate shumëkatëshe, të banuar nga një numër i konsiderueshëm familjesh.

Mozaiku i zbuluar në muajin tetor është i përbërë nga gurë ngjyrë blu të errët dhe të bardhë dhe mendohet se është pjesë e një vile luksoze që ndodhej pranë amfiteatrit të Durrësit. Nga ai janë zbuluar vetëm disa pjesë, pasi mendohet të ketë një sipërfaqe rreth 60 metër katror. Aktualisht mozaiku është i mbuluar për ta ruajtur nga ndikimet atmosferike.

Gjatë marsit të këtij viti, bashkia Durrës mbylli procedurat e tenderit për gërmimet e shpëtimit, për të cilat janë akorduar 13,811,500 lekë.

Gërmimi do të kryhet deri në thellësinë që kërkohet nga projekti 6.75 m.

M.B.