Pallatet e dëmtuara nga tërmeti dhe që ende nuk janë riparuar vazhdojnë të përbëjnë rrezik për qytetarët.

I tillë është ky pallat shumëkatësh në lagjen nr.4 të Durrësit, që njihet ndryshe me emrin “Vapori”.

Dëmtimet e shumta që ka pësuar në urën lidhëse mes dy blloqeve të ndërtimit rrezikojnë në çdo moment jetën e qytetarëve që kalojnë aty. Aty nuk ka as shirita sinjalizues, që mund të paralajmërojnë kalimtarët.

Për qytetarët që janë rezidentë aty apo e frekuentojnë shpesh këtë rrugë kalimi mes dy pallateve, rreziku është i madh.

“Rreziku është i madh, mund të bjerë ndonjë copë suva në çdo moment. Edhe një fëmijë mund të hedhë. Në rast tërmeti mund të shkëputet pjesë më e madhe dhe mund të vdesë dikush”,– thotë një qytetar.

“Është njësoj si rasti tek lagja nr.18, ku u shemb muri para disa ditësh. Shteti duhet të ndërhyjë sa më parë. Para ca javësh ra një copë suva nga pallati”,– thotë një i ri që banon në lagjen nr.18 dhe e njeh mirë rrezikun që përbëjnë këto godina. 

Pak ditë më parë, në një pallat me dëmtime DS4 në lagjen nr.18 të qytetit, u shkëput një pjesë e murit, por fatmirësisht nuk pati të lënduar. Vetë banorët pohuan se disa ditë më parë, aty ishte lënduar në këmbë një fëmijë për shkak të shkëputjes së suvasë.

Më shumë se dy vite e gjysëm nga tërmeti, në Durrës ka ende shumë pallate me dëmtime DS2, DS3 dhe DS4 ku nuk ka nisur procesi i riparimit apo riforcimit. Një pjesë e konsiderueshme e tyre mbeten rrezik potencial për qytetarët.

M.B.