Rreth një vit pasi u vendosën në shëtitoren “Taulantia”, 3 skulpturat e yjeve të rokut largohen sërish nga kjo hapësirë publike.

Pamjet që po publikon “DurrësLajm” tregojnë se aty ku më parë ishin skulpturat e Bob Dylan, John Lennon dhe Mick Jagger tashmë janë vetëm bazamentet bosh.

Sipas burimeve nga bashkia, 3 skulpturat e yjeve botërore janë dërguar për restaurim dhe do të rikthehen në shesh në një moment të dytë.

Prej muajsh, ky kompleks skulpturash parku ishte shndërruar në një vend ku turistët vendas dhe të huaj ndalnin për të shkrepur foto.

Të vendosura në shesh në qershor të vitit të kaluar, statujat e 4 rokerëve tërhoqën jo pak vëmendjen e qytetarëve.

Për shkak të një incidenti që ndodhi gjatë festës së motoristëve, skulptura e Tina Turner u largua nga sheshi në shtator 2022 për t’u restauruar dhe nuk u rikthye më aty.

Të realizuara vite më parë për t’u vendosur në lulishten para portit detar dhe në krah të Torrës Veneciane, ky kompleks skulpturash më shumë ka qëndruar në magazinat e NSHK Durrës sesa në hapësirat publike për të cilat u ideuan në kohën e qeverisjes së ish-kryebashkiakut Vangjush Dako.

M.B.