Papërgjegjshmëria qytetare dhe vështirësitë për të gjetur parkingje të lira në qytet, po krijojnë përditë e më shumë një situatë kaotike me qarkullimin në Durrës.
Bori automjetesh, trafik i rënduar, bllokim për minuta të tëra e pushues të acaruar, kjo është ajo që gjen çdo ditë, e sidomos gjatë fundjavave, në rrugët kryesore që të çojnë në pikat bregdetare të qytetit.
Edhe pasditen e kësaj të diele, një parkim i gabuar ka sjellë si rezultat rradhë kilometrike automjetesh dhe shoferë e pushues të irrituar në Currila, në krye të rrugës së vetme që të dërgon në Kallm.
Ndonëse një rrugë e ngushtë me dy sense lëvizjeje, gjatë sezonit ajo rrallëherë funksionon si e tillë, përshkak se gjysma e rrugës qëndron vazhdimisht e zënë nga parkimet e gabuara.
Në një kohë kur popullsia dy a trefishohet në qytet, ndërgjegjja qytetare jo gjithmonë është optimale dhe numri i parkingjeve mbetet “në vendnumëro”, edhe aksionet e policisë rrugore dukshëm nuk rezultojnë të suksesshme.
Ndërsa qyteti, që turizmin e ka motor të ekonomisë, aspiron të mirëpresë mbi 1 milion turistë këtë sezon, kjo nuk është një panoramë a eksperiencë e këndshme për asnjë përdorues rruge, prandaj nevoja për t’i dhënë problemit një zgjidhje përfundimtare është tashmë një urgjencë.