Reshjet e shiut, të regjistruara përgjatë gjithë pasdites së sotme, kanë krijuar vështirësi në qarkullim për drejtuesit e mjeteve dhe kalimtarët në rrugët e Durrësit.

Gjendja e rënduar në shumë nga akset, që përmbyten vazhdimisht në qytetin bregdetar dëshmohet në këtë video që nuk ka nevojë për koment.

Ndërkohë kushtet atmosferike në det të hapur kanë ndikuar në pezullimin e lundrimit për mjetet e tonazhit të vogël, përfshirë dhe peshkarexhat, të cilat mëngjesin e sotëm janë kthyer në portin më të madh në vend.

Forca e detit është 5-6 ballë, por nuk janë konstatuar vonesa në lundrimin e trageteve të linjës Bari- Durrës, që kanë mbërritur në port në orarin e parashikuar.

Pritet që edhe gjatë mbrëmjes së sotme të mos regjistrohen problematika në lundrimin e trageteve.

Sipas parashikimeve, moti në det të hapur pritet të normalizohet të dielën, duke kthyer normalitetin në veprimtarinë e flotës së peshkimit në fillim të javës së re.