Moti i keq, që ka përfshirë pjesën më të madhe të vendit, është ulur këmbëkryq edhe në Durrës.

Qyteti bregdetar, që nga mbrëmja e së martës është nën pushtetin e reshjeve të shiut, të cilat kanë qenë me intensitet mesatar, por jo rrallëherë janë shndërruar në rrebeshe disa minutëshe.

Era ka fryrë në drejtim të jugut, ndërsa forca e detit është 4-5 ballë, gjë që ka shkaktuar pezullimin e lundrimit të flotës së peshkimit. Të gjitha peshkarexhat do të qëndrojnë të ankoruara në kalatë, deri në përmirësimin e kushteve atmosferike, bën të ditur Kapiteneria e portit të Durrësit.

Pavarësisht reshjeve që vijojnë prej disa orësh tashmë, në qytetin bregdetar nuk janë shkaktuar problematika të theksuara përsa i përket bllokimit të rrugëve.

Sipas Shërbimit Metereologjik Ushtarak, të mërkurën vendi ynë do të ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike me mbizotërim të motit të vranët dhe me reshje të herë pas hershme shiu prej orëve të para të 24-orëshit e gjatë gjithë ditës, me ndërprerje.

Reshjet e shiut parashikohen me intensitet të ulët e lokalisht shtrëngata të izoluara afatshkurtra në pjesën e parë të ditës, ndërsa në orët e vona të pasdites pritet që i gjithë vendi të përfshihet nga reshje shiu me intensitet mesatar.

Në Alpe dhe relievet e larta malore në verilindje-juglindje do të kemi rikthim të reshjeve të dëborës, me intensitet të ulët.