Deputeti i PS-së Ani Dyrmishi ka reaguar mbi ngjarjen e kobshme që tronditi Durrësin dhe mbarë opinionin publik këtë të diel, ku dy fëmijë 10 vjeç humbën jetën ndërsa një tjetër u plagos rëndë, pasi u përplasën nga një mjet teksa po luanin pranë banesave të tyre.
“Kjo ngjarje tragjike na ka tronditur të gjithëve… Durrësi sot është në zi” e nis reagimin e tij Dyrmishi teksa ka një mesazh për organet e drejtësisë që të veprojnë pa mëshirë, sepse jeta e fëmijëve është e shenjtë!
“Humbja e dy fëmijëve është një dhimbje që s’përshkruhet me fjalë, një plagë që na prek të gjithëve si prindër e si njerëz.
Ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave. Zoti ju dhëntë forcë, sepse kjo është dhimbje që s’e mban dot zemra.
Drejtësia duhet të veprojë pa mëshirë. Jeta e fëmijëve është e shenjtë!
Lutem me gjithë shpirt për fëmijën e tretë që është në spital… Zoti e shpëtoftë dhe e ktheftë pranë familjes.”, shkruan Dyrmishi.
Ngjarja e rëndë
Katër fëmijë kanë qenë duke luajtur në trotuar, kur një automjet i drejtuar nga 57-vjeçari Nikoll Radaçi ka humbur kontrollin dhe ka përplasur tre prej tyre në zonën e ish-Kënetës.
Si pasojë e përplasjes, dy të mitur kanë ndërruar jetë menjëherë në vendngjarje, ndërsa një tjetër ndodhet në spital në gjendje të rëndë për jetën, nën kujdesin e mjekëve. Njëri prej fëmijëve ka shpëtuar pa lëndime.
Policia ka shoqëruar në Komisariat drejtuesin e automjetit, 57-vjeçarin Nikoll Radaçi, i cili dyshohet të ketë qenë nën efektin e alkoolit në momentin e aksidentit.





