Të shtunën, shëtitorja “Taulantia” në Durrës u bë “strehë” e festës dedikuar vlerave të familjes.

“FamFest”, festivali kushtuar forcimit të lidhjeve familjare, mblodhi së bashku njerëz nga Shqipëria dhe më gjerë, me të ftuar nga Koreja e largët, Japonia dhe Evropa.

Festivali ofroi një gamë të gjerë aktivitetesh, me këngëtarët e mirënjohur të dashurisë, Venera Lumani dhe Lind Islami dhe animatorë të ftuar.

Për “DurrësLajm”, organizatorja e eventit, Manjola Vashmatič theksoi misionin e festivalit:

“Sot kemi ardhur në Durrës me edicionin e katërt të ‘FamFest’, i cili është një festival që i dedikohet familjes dhe vjen me temën ‘Familja, shkolla e dashurisë’.

‘FamFest’ synon të promovojë vlerat e familjes së vërtetë, synon që t’i frymëzojë dhe nxisë familjet që të angazhohen më shumë në përmirësimin e standardit të jetës, veçanërisht të marrëdhënieve brenda familjes.”

Festivali kulmoi me një marshim simbolik drejt Sfinksit, me të pranishmit që mbanin pankarta ndër duar dhe thërrisnin së bashku: “Mbroni familjen”.

Në fund, ata lëshuan balona në qiell, me shpresën për unitet dhe mbështetje brenda njësisë familjare.

Për rëndësinë e qëndrueshmërisë së kësaj të fundit, Vashmatič shprehu shpresën e saj:

“Ne e dimë që sot familja ka shumë vështirësi, shikojmë sesi numri i divorceve rritet, sesi rritet numri i të rinjve që nuk duan të martohen, po rritet edhe numri i fëmijëve që shfaqin boshllëqe të mëdha emocionale, përshkak se nuk mund të marrin përkushtimin e nevojshëm, që duhet dhënë jo vetëm nga familja, por edhe nga instancat përreth dhe në një fazë të tillë është shumë e nevojshme, që ne vërtetë të mund të fokusohemi për t’i fuqizuar familjet.”

Këto fjalë të sajat, thënë për kamerën e “DurrësLajm”, i bënë kështu jehonë mesazhit të festivalit: Se familjet e forta janë thelbësore, jo vetëm për individët, por për shoqërinë në tërësi.

K.Gj.