Dy pallate të konsideruara “të rrezikshme” për shkak të shkëputjes herë pas herë të pjesëve të suvasë për shkak të amortizimit do t’u restaurohet fasada.

Bashkia Durrës po bëhet gati të hapë tenderin për dy pallate shumëkatëshe në lagjen nr.1 të qytetit, të cilat herë pas here kanë vënë në rrezik jetën e banorëve dhe qytetarëve.

Rasti më i fundit është vetëm 2 javë më parë, kur Policia Bashkiake rrethoi me shiritat e sigurisë pallatin 15 katësh në shëtitoren “Taulantia”, pasi prej tij ranë pjesë të suvasë dhe pllakave dekorative.

“DurrësLajm” mëson se bashkia ka planifikuar një fond prej rreth 20 milionë lekë për restaurimin e fasadave.

Në pallatin shumëkatësh pranë kolegjit amerikan kjo është ndërhyrja e dytë që kryhet në fasadë, pasi rreth një vit më parë, suvaja u gërrye me mjete të rënda, për të evituar shkëputjen e copave të tjera nga ballkonet e apartamenteve.

M.B.