Një bazë armatimesh u zbulua nga Policia e Durrësit ditën e sotme gjatë një operacioni të befasishëm.

Në një banesë u gjetën sasi të mëdha armatimi dhe municionesh, por edhe mjete të tjera mbështetëse apo logjistike që u bllokuan si prova materiale.

Burime policore thanë se dyshohet se kjo bazë përdorej nga grupet kriminale për aktivitet të paligjshëm.

Paraprakisht mësohet se është arrestuar një 20-vjeçar me inicoalet E.P.

U sekuestruan 4 pistoleta, një kallash e një armë gjahu. Gjithashtu 1 targë mjeti italiane dhe një celular, 6 krehëra e qindra fishekë.

Operacioni u kodua “Baza”, kurse i ndaluari në flagrancë është banues në Manzë.

“Gjatë kontrollit në banesën e tij, efektivët gjetën dhe sekuestruan një arsenal armësh dhe municioni, ku përfshihen 4 pistoleta, 1 armë automatike model 56 (kallashnikov), 1 armë gjahu (shotgun), 6 krehëra, qindra fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, 1 targë automjeti italiane dhe 1 aparat celular”, thanë burime zyrtare.

Sipas Policisë, dyshohet se kjo bazë shërbente për furnizimin me armë të grupeve kriminale, ndërsa armët e sekuestruara do t’i nënshtrohen ekspertimit në Institutin e Policisë Shkencore për të verifikuar nëse janë përdorur në ngjarje kriminale të ndodhura më parë.

Hetimet vijojnë për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

20-vjeçari akuzohet për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Njoftimi i Policisë Durrës:

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Baza”.

Zbulohet një bazë me arsenal armësh dhe municioni luftarak, që dyshohet se shërbente për furnizimin e grupeve kriminale.

Arrestohet në flagrancë një 20-vjeçar.

Sekuestrohen 4 pistoleta, 1 kallashnikov, 1 armë gjahu (shotgun), 6 krehëra, qindra fishekë luftarakë, 1 targë automjeti italiane dhe 1 aparat celular.

Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Stacionit të Policisë Manzë, në bashkëpunim me strukturat operacionale të DVP Durrës, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Baza”.

Si rezultat i këtij operacioni u zbulua një bazë ku mbaheshin armë zjarri dhe municion luftarak, që dyshohet se shërbenin për furnizimin e grupeve kriminale.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit E. P., 20 vjeç, banues në Manzë, Durrës, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 4 armë zjarri pistoletë, 1 armë zjarri automatike model 56 (kallashnikov), 1 armë gjahu (shotgun), 6 krehëra, qindra fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, 1 targë automjeti italiane dhe 1 aparat celular.

Në përfundim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. P.

Armët do t’i nënshtrohen ekspertimit në Institutin e Policisë Shkencore, për të verifikuar nëse janë përdorur në ngjarje kriminale të ndodhura më parë.

Vijon puna për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.