Me qindra besimtarë ortodoksë u mblodhën pasditen e sotme në katedralen e Apostul Pavlit dhe Shën Astit në Durrës për të marrë pjesë në ceremoninë e Udhës së Kryqit, e njohur ndryshe si lëvizja e Epitafit të Krishtit.

Është ky një rit fetar, që organizohet në mbrëmjen e të premtes së zezë dhe që shpreh dhimbjen e besimtarëve për kryqëzimin e Krishtit.

Mes besimtarëve, gjatë riteve fetare ishin të pranishëm edhe kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako dhe prefekti i qarkut Emiljan Jani.

Ceremonia e shërbesës së epitafit dhe procesioni filloi nga katedralja e Apostul Pavlit dhe Shën Astit rreth orës 18.45.

Ka qënë një kortezh i madh besimtarësh që kanë shoqëruar Epitafin, atë që në fenë e krishterë simbolizon Krishtin në kryq.

Me një marshim të heshtur, të shoqëruar nga tingujt e bandës së qytetit, qindra persona kanë bërë parakalimin tradicional në bulevardin kryesor të qytetit.