PRESHEVE – Kërkesa e liderëve serbë në veri, por edhe e lidershipit në Beograd se veriut të Kosovës duhet t’i jepet një autonomi e nivelit të Republikës Serbe në Bosnje, ka ngjallur reagime të menjëhershme në Luginën e Preshevës, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës Lindore thonë se nëse rajoni i tyre anashkalohet nga procesi negociator, atëherë sipas tyre, nuk do të ketë qetësi në rajonin e Ballkanit. Ata thonë se Lugina vazhdon të mbetet një bombë e kurdisur. 

Prandaj që të zgjidhen çështjet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, ata ritheksojnë kërkesën e tyre, që status i tyre të zgjidhet në mënyrë të ngjashme me veriun e Kosovës, duke kërkuar autonomi ose ndarje. 

Ata u kanë bërë me dije të dyja qeverive si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë se gjendja në Luginë sa vjen e rëndohet. 

Jonuz Musliu, ish-përfaqësues politik i ish-guerilëve shqiptarë (UÇPMB), ka thënë se shqiptarët në Luginë po mendojnë se i kanë përfunduar punët sa i përket zgjidhjes së çështjes së tyre, prandaj edhe po presin se çështja do të zgjidhet vetvetiu. 

Ai ka thënë se shqiptarët e Luginës nuk kanë platformë për kërkesat e tyre për luginën, porse siç tha ai do të jenë këmbëngulës në kërkesat për reciprocitet. 

“Ato të drejta që i marrin serbët e veriut e njëjta duhet të vlejë për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Presioni ynë më i madh duhet të jetë te Qeveria e Kosovës sepse ajo po tregohet e shurdhër karshi problemit tonë”,- ka thënë Musliu, sipas të cilit, defekti kryesor është mosinteresimi i Qeverisë së Kosovës për Luginën e Preshevës. 

“Ne kemi kërkuar disa herë të takohemi me përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës që ta shohim realitetin se çka po bisedohet me Beogradin sepse ne as që po e dimë se çka po zihet në këto bisedime”, – ka thënë Musliu, duke shtuar se Qeveria e Kosovës po i bishtnon takimeve. Sipas tij, duke mos u interesuar për Luginën problemi sa vjen e rritet dhe mund të eksplodojë. 

“Tensionet në Luginë sa vijnë e shtohen dhe në rast të eksplodimit atëherë Qeveria e Kosovës ndoshta do të involvohet por kjo do të jetë vonë”, – ka thënë Musliu.