Një batutë e papritur e kryeministrit Edi Rama gjatë një mitingu në Kavajë më 21 prill, u kthye brenda pak orësh në një ndër termat më të kërkuar në Google gjatë gjithë fushatës zgjedhore. “Gjithë ky zdap, siç më kishte bërë nëna… Shkruani ‘Edi Rama nudo’ dhe del aty,” deklaroi Rama me ironi, duke shkaktuar të qeshura në mesin e mbështetësve.

Kjo frazë u bë menjëherë virale në rrjetet sociale, u shndërrua në meme dhe u pasqyrua gjerësisht nga mediat online. Sipas të dhënave të Google Trends, togfjalëshi “Edi Rama nudo” u ngjit në krye të kërkimeve që lidhen me politikën shqiptare, duke reflektuar ndikimin e menjëhershëm të fjalëve të liderëve në hapësirën digjitale.

Opozita reagoi me akuza për banalitet dhe shmangie të debatit publik nga temat reale. Kandidati i Partisë Demokratike për Durrësin, Igli Cara, e quajti këtë deklaratë një strategji vulgare që përdor edhe fëmijët për efekt propagandistik.

Të dhënat e Google Trends tregojnë se Rama ishte politikani më i kërkuar në këtë platformë gjatë fushatës. Interesi për të përfshinte kërkime për moshën, gjatësinë, fotot e vjetra dhe profilin e tij në Facebook. Pas tij renditet Sali Berisha, lideri i Koalicionit për një Shqipëri Madhështore, me kërkime që lidhen me statusin ‘non grata’, Donald Trump dhe figura të tjera opozitare si Agron Shehaj.

Në raportin krahasues mes partive, PS rezulton me një nivel mesatar interesi prej 61 pikësh nga 100 të mundshme në Google Trends, ndërsa PD me 53. Socialistët dominuan në kërkime në qarqet e Tiranës, Durrësit, Fierit, Vlorës dhe Dibrës, ndërsa demokratët në Shkodër, Kukës, Lezhë dhe Korçë.

Ndër liderët e partive të reja, më shumë kërkime ka pasur për Agron Shehajn, i ndjekur nga Lulzim Basha, Adriatik Lapaj, Arlind Qori dhe Enkelejd Alibeaj. Shehaj ka pasur interes më të madh në Tiranë, Fier dhe Vlorë.

Përveç figurave politike, temat që kanë tërhequr më shumë vëmendje në Google gjatë fushatës kanë qenë pensionet, arsimi, rrogat dhe shëndetësia. Në veçanti, pensionet kanë qenë fjala më e kërkuar në qarkun e Vlorës, arsimi në Berat dhe rrogat në Tiranë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se 86.2% e shqiptarëve përdorin internetin disa herë në javë dhe 99.9% zotërojnë telefona inteligjentë, duke e bërë Google një pasqyrë të drejtpërdrejtë të interesit publik gjatë fushatave.