Për të tretin vit radhazi, Panairi i Punës dhe Karrierës që zhvillohet pranë Fakultetit të Biznesit në UAMD arriti të bëjë bashkë bizneset dhe studentët, me qëllim punësimin e këtyre të fundit ende pa mbaruar ciklin e studimeve.

“Kam gjetur mundësi trajnimi, por edhe vende pune ku mund të punoj. Mundësi punësimi ka”,– thotë një studente.

“Shumica e panaireve të Fakultetit të Biznesit u mundëson studentëve të gjejnë vende pune më të mira”,- thotë një tjetër student.

Ndërsa shumë nga bizneset kompletuan stafin e tyre, sidomos në këtë periudhë kur sezoni veror rrit ndjeshëm kërkesën për punonjës sezonalë.

Këtë vit rreth 200 biznese morën pjesë në panair, ndërkohë që risi ishte akordimi i bursave për 5 studentët e degës Hoteleri-Turizëm.

“Sot, në edicionin e tretë të panairit marrin pjesë 200 biznese nga të gjithë sektorët dhe industritë, por nuk mungojnë edhe institucionet publike. Panairi i arriti objektivat e tij”,– deklaron dekani Shkëlqim Fortuzi.

“Po shikoj një interes të shtuar nga biznesi për të forcuar urat e bashkëpunimit, që të jenë aktorë të qenësishëm në kurrikulat e universiteteve, por edhe në nevojat që ata kanë nga të rinjtë që duan të rekrutojnë”,- thotë për “DurrësLajm”, rektorja Kseanela Sotirofski.

E pranishme në panair, kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, premtoi se vitin e ardhshëm panairi do të marrë përmasa edhe më të mëdha.

Kryetarja e bashkisë ishte prezente gjatë nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit, kontratave të punës dhe ndarjes së certifikatave.

Në orën e parë të hapjes së panairit u nënshkruan rreth 30 kontrata pune nga bizneset pjesëmarrëse.

M.B.