Marina turistike e Durrësit është tashmë realitet dhe jo vetëm projekt në letër.
Në hapësirën portuale, ku janë projektuar të ndërtohen dy godinat e para për të cilat Këshilli Kombëtar i Territorit ka dhënë lejen 2 muaj më parë, mjetet e rënda kanë bërë gati sheshin e ndërtimit.


“DurrësLajm” po ju sjell pamje filmike nga ajo që deri në fund të muajit korrik ishte pjesë e Terminalit Lindor të portit të Durrësit, dhënë me koncesion kompanisë gjermane “EMS APO”, por që tashmë është shndërruar në shesh ndërtimi për dy godinat e para shumëkatëshe të projektit 2 miliardë euro “Durrës Marina”.


Mesditën e sotme, mjetet e rënda po punonin me intensitet të ulët, ndërkohë që në kantier janë vendosur edhe tabelat me 2 lejet përkatëse të ndërtimit dhënë nga KKT, në fillim të muajit gusht.
(Leja e Ndërtimit dhënë nga KKT: për objektin: “Godinë banimi dhe shërbimi me 1, 6, 7, 8 dhe 10 kate mbitokë, 1 kat pjesërisht parkim nëntokë dhe 1 kat parkim nëntokë” dhe “Godinë banimi dhe shërbimi 1, 6, 7 dhe 8 kate mbitokë, 1 kat pjesërisht parkim nëntokë dhe 1 kat parkim nëntokë”, Zona 02, Zona e menaxhimi A02 dhe A04, me vendndodhje në “Marina & Jahtet e Durrësit”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Durrës Marina” sh.a).

E ndërsa projekti “Durrës Marina” i biznesmenit nga Emiratet e Bashkuara Arabe Mohamed Alabbar ka nisur të realizohet në terren, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për projektin e portit të ri të Durrësit, i projektuar për t’u ndërtuar në Porto Romano.
Territori ku aktualisht është shtrirë projekti “Durrës Marina” ishte deri më 29 korrik të këtij viti pjesë e koncesionit 35-vjeçar, që kompania gjermane EMS ka lidhur me shtetin shqiptar.

Mëngjesin e 29 korrikut, autoritetet portuale ndërhynë me forcë në terminalin lindor, duke “zaptuar” një pjesë të territorit, që siç duket edhe në pamjet filmike është i rrethuar me kangjella të hekurta dhe blloqe betoni.

Kompania EMS vazhdon ushtron aktivitetin, por në një territor më të kufizuar, ndërkohë që tashmë është zhvilluar në Uashington seanca e parë në Gjykatën e Arbitrazhit mes kompanisë koncesionare gjermane dhe shtetit shqiptar.
Fatura financiare e dëmshpërblimit e kërkuar në Arbitrazh për trajtim të pabarabartë dhe diskriminues nga kompania gjermane EMS APO është në vlerën 40 milionë euro.
M.B.



përfundojnë me sukses programin ndërkombëtar “Double Degree” me Institutin Politeknik të Bragançës">


