Ellen DeGeneres duket se po përgatit një rikthim të madh në Hollywood, disa vite pasi u tërhoq nga skena publike mes akuzave për bullizëm dhe sjellje të papërshtatshme në ambientin e punës.

Komediania 68-vjeçare pritet të rikthejë rolin e saj të njohur si Dory në universin e animuar të Finding Nemo. Sipas raportimeve të Deadline, ajo do të jetë në  një projekt të ri të shkurtër të lidhur me këtë franchise të suksesshëm të Disney.

DeGeneres ka interpretuar më parë Dory në filmin origjinal të vitit 2003 dhe në vazhdimin Finding Dory, i cili pati sukses të jashtëzakonshëm në arkëtime, duke kaluar mbi 1 miliard dollarë globalisht dhe duke u renditur ndër filmat më fitimprurës të animuar.

Ky projekt shënon rikthimin e saj të parë të madh në film pas një periudhe të vështirë në karrierë. Në vitin 2020, imazhi i saj publik u godit rëndë pas një sërë akuzash për bullizëm, racizëm dhe ngacmime në prapaskenat e “The Ellen DeGeneres Show”.

Pas publikimit të një investigimi nga BuzzFeed News, kompania WarnerMedia nisi hetime të brendshme, të cilat çuan në shkarkimin e disa producentëve ekzekutivë. Vetë DeGeneres kërkoi falje publike ndaj stafit dhe audiencës.

Emisioni i saj i famshëm përfundoi në maj 2022, pas 19 sezonesh në transmetim. Më vonë, ajo e cilësoi reagimin ndaj saj si një sulm “të koordinuar dhe mizogjen”.

Pas një pauze të gjatë, DeGeneres u rikthye në vitin 2024 me një special në Netflix, por projekti u prit me kritika të përziera deri negative.

Ndërkohë, në jetën personale, ajo dhe bashkëshortja e saj, Portia de Rossi, u zhvendosën përkohësisht në Mbretërinë e Bashkuar pas zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2024, përpara se të riktheheshin në Kaliforni, ku kanë investuar në një pronë luksoze në Montecito.