Një ngjarje e rëndë u regjistrua mesditën e së shtunës së kaluar në Durrës. Një incident në punë i mori jetën punëtorit Genci Spaho, 51 vjeç.

Spaho u aksidentua, ndërsa ishte duke punuar në kantierin e sitit të ri në Spitallë, ku po ndërtohen pallatet për të pastrehët e tërmetit.

51-vjeçari fillimisht është dërguar në spitalin rajonal të qytetit, ndërsa më vonë drejt Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë.

Për këtë ngjarje, Drejtoria Vendore e Policisë së qytetit të Durrësit, ka arrestuar shtetasit Leonart Pule, Enea Xoxi dhe Rauf Kaci për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, të cilët pritet të dalin para gjykatës së rrethit për masën e sigurisë.

Ndërkohë, ditën e sotme, puna vijonte normalisht në kantierin, ku po ndërtohet lagja e re e banimit, nga Fondi për Zhvillim i Abu Dhabit.

Punimet e nisura në qershor të vitit të kaluar, pritet të përmbyllen në qershor 2022, pasi në tabelën e projektit parashikohet kohëzgjatja e tij për një vit.