Të rejat më të fundit të shkencës së mjekësisë, me qëllim përmirësimin e shërbimit kundrejt pacientëve u prezantuan gjatë konferencës së 10-të infermieristike për qarkun e Durrësit.

Me dhjetëra infermierë që ofrojnë shërbimin e tyre mjekësor në qendrat shëndetësore dhe spitalin rajonal ishin të pranishëm gjatë punimeve të saj krahas drejtuesve më të lartë të pushtetit vendor dhe institucioneve të shëndetësisë në qarkun e Durrësit.

Sipas statistikave zyrtare, në Durrës, Shijak dhe Krujë janë rreth 1100 infermierë, që figurojnë të regjistruar në Urdhrin e Infermierit, ndërkohë në spitalin rajonal punojnë 346 infermierë, ndërsa në qendrat shëndetësore ofrojnë shërbim rreth 300 infermierë.

Emigrimi i mjekëve dhe infermierëve, kryesisht drejt Gjermanisë është një fenomen i viteve të fundit, ndërkohë numri i të të larguarve ka qenë pak më i ulët në vitin 2023.

“Largime ka, por viti i fundit ka qenë më pak i ngarkuar me largime. Më shumë se 40 infermierë janë larguar në vitin 2023, por vlen të theksohet fakti se ne i kemi të plotësuara me staf të gjitha shërbimet infermierike”,- thotë për “DurrësLajm”, Arben Beja, kryeinfermier i përgjithshëm i spitalit rajonal dhe sekretar i Urdhrit të Infermierit në qarkun Durrës. (Intervistën e plotë me të e gjeni në fund të shkrimit)

Punimet e konferencës së infermierisë i përshëndeti edhe kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, e cila gjatë fjalës së saj e vuri theksin sidomos tek gatishmëria që infermierët e spitalit apo ato të qendrave shëndetësore kanë gjatë sezonit turistik për t’u ofruar shërbim pushuesve vendas e të huaj, që vijnë në Durrës.

“Çdo vit ka një rritje të vizitorëve dhe turistëve që zgjedhin Durrësin për të kaluar pushimet e tyre. sigurisht kjo nënkupton që disa institucione të caktuara, përfshirë edhe spitalin e qytetit, kanë një ngarkesë të shtuar. Prandaj një falenderim shkon për të gjithë ju për këtë periudhë që mbart sfida të shumta. Nëse të gjithë njerëzit në këtë periudhë përgatiten për pushime, ju jeni ata që keni angazhimin akoma më të madh”,- tha ndër të tjera Sako.

Gjatë konferencës u nderuan me certifikata mirënjohjeje, infermierët më të dalluar të Durrësit përgjatë vitit që lamë pas.

Ata janë Qamile Nerjaku, Q. Shëndetësore Xhavzotaj; Qerim Kapxhiu, Q. Shëndetësore Nr 8 Spitallë si dhe Anila Çoba dhe Arian Shaba nga spitali rajonal Durrës.

M.B.