Myslimanët kudo në botë festojnë sot festën e Kurban Bajramit, e njohur si Festa e Sakrificës.

Në Durrës qindra besimtarë myslimanë kanë falur mëngjesin e sotëm namazin e Kurban Bajramit.

Besimtarët i janë drejtuar xhamisë së qytetit ku kanë kryer ritin e faljes dhe kanë shkëmbyer mesazhet e dashurisë vëllazërore e të mirëqenies në çdo familje. Ashtu si dhe vitet e tjera, shkallët dhe xhamia janë mbushur plot me besimtarë të të gjitha moshave.

Sipas zakonit, në këtë ditë të rëndësishme për myslimanët, besimtarët kanë prerë kurban e një pjesë ua shpërndajnë njerëzve në nevojë, ndërsa në mesditë shtrojnë drekën me të gjithë miqtë dhe familjarët.

Kjo ditë shënon vullnetin e Ibrahimit për të sakrifikuar djalin e tij, sipas urdhrave të Zotit. Myslimanët e shënojnë këtë ditë duke bërë kurban një dele ose një dhi. Mishi ndahet mes pjesëtarëve të familjes, mes miqve dhe i dhurohet të varfërve. Kurban Bajrami festohet pas kryerjes së Haxhit.

Pelegrinazhi në Mekë është një detyrim për besimtarët myslimanë, i cili duhet të bëhet një herë në jetë nga të gjithë myslimanët që mund ta përballojnë udhëtimin, si nga ana financiare ashtu dhe ajo shëndetësore.