ITALI– Vazhdon telenovela Fico-Balotelli. Pas deklaratave të Rafaelës në shtypin rozë se sulmuesi i Mançester Sitit nuk ka treguar aspak interes të takojë vajzën e tij ka reaguar futbollisti.

“Nuk mund të lejoj që nderi im si burrë të përlyhet me deklarata ndryshe nga sa janë”,- shprehet Balotelli.

Ndërkohë në mbrojtje të futbollistit problematik janë rreshtuar edhe prindërit e tij adoptivë.

Përmes një letre që është publikuar në “Gazzetta dello sport” prindërit e sulmuesit i drejtohen Rafaela Fico-s me fjalët: Rafaela, dashuria vlen më shumë se paratë.

“Do kishim preferuar të mos merrnim pozicione publike lidhur me çështje private, por nuk mund të tolerohen deklaratat plot fantazi të Rafaela Fico-s, kjo dhe falë një krijese e cila prej pak kohësh ka ardhur në jetë, por ka limit për çdo gjë”,- shkruajnë Silvia dhe Franco Balotelli.

Më tej në letër ata theksojnë se djali i tyre nuk është njeri i papërgjegjshëm dhe pa dinjitet siç e përshkruan ish e dashura e tij.

Ata e mbyllin letrën me këto fjalë drejtuar Fico-s: “Mund t’i lësh mënjanë interesat personale dhe të veprosh për të mirën e vajzës. Të kërkojmë vetëm pak privatësi, sepse vogëlushja ka të drejtat e saj… Mario ndoshta do ishte sot në krahun tënd, nëse ti do kishe kuptuar në kohë, se dashuria vlen më shumë sesa paraja dhe fama”.