Kjo është pamja e trishtë me të cilën përballen çdo mbrëmje qytetarët durrsakë, por edhe turistët e huaj në shëtitoren “Taulantia”.

Të mitur që shtrihen mbi kartonë apo që u ndërrohen pelenat në mes të sheshit. Të tjerë u drejtohen kalimtarëve me dorën e shtrirë për t’u lypur para.

Megjithëse të premten e kaluar, policia e Durrësit nisi procedimin penal me akuzën “Keqtrajtim i të miturve” për 11 të rritur që shfrytëzonin vogëlushët nga 2 deri në 13 vjeç për të lypur, fenomeni i shëmtuar nuk ka të ndalur.

Pamjet filmike janë xhiruar mbrëmjen e së martës në një nga hapësirat publike më të frekuentuara të Durrësit, ku familje të komunitetit rom vijojnë “punën” e tyre të përditshme, lypjen.

Të ulur në pllakat e shëtitores apo duke lëvizur nëpër lokale e restorante, ata presin lëmoshën e radhës.

Ndërkohë të miturit janë të privuar nga lojërat dhe shpesh detyrohen të qëndrojnë të shtrirë për orë të tëra mbi copa kartonësh, nën vështrimin e prindërve të tyre.

Integrimi i këtyre familjeve dhe largimi i tyre nga rruga mbetet akoma një mision i pamundur për strukturat shtetërore.

M.B.