Nga BUJAR QESJA

Mjeshtër i Madh

Teksa qëndrojmë përkundruall detit, diku pranë kthesës që të çon drejt Currilave tek Brryli i famshëm, Eglantina Golemi sikur bie në ëndërrime. Dita e bukur plot diell, deti i qetë si “voj”, puhiza e lehtë që vinte nga thellësia guduliste fytyrën e saj dhe kujtimet ndiqnin por si valët njëra tjetrën. Jo pa qëllim u ulëm në këtë vend. Romantizmi dhe meditimi i momentit, bashkoheshin dhe lidheshin në një, me sentimentet tejet origjinale dhe nëpërmjet tregimeve të saj, na dukej sikur deti tërbohej e më pas “flinte” si më parë.

– Eh jetë o jetë!, pëshpëriste hera herës shoqëruesja e jonë. U ulëm bash në një vend që kam mall, pasi është fëmijëria ime. Ja diku këtu ka qenë shtëpia e jonë, ku është ndërtuar universiteti “A. Moisiu”. Babai i shiti këto toka për t’i patur në ditë të vështira. Bëhet fjalë për kohën e Zogut. Tek kirurgjia e vjetër, në rrëzë të kodrave të Vilës aty ku është vendosur siç i thonë “Shkolla italiane” është sërish toka e jonë. Babai studioi për marinë në Itali dhe pas çlirimit nuk iu dha vëndi që i takonte. Punoi në konsullatën anglezë në Durrës dhe pakënaqësia rritej dita ditës.

Pasi merr frymë thellë dhe nostalgjia përzier me një lloj brenge e meraku të pazakontë, “vajza e valëve” kujton sërish Hajdar Golemin.

– Punonte deri në mesin e viteve 80-të tokat tona, këtu ku unë po ju shpjegoj. Vdiq në vitin 1986, i mërzitur dhe tërë merak. Nuk mund ta duronte regjimin dhe ishte ndër të parët që e nuhati katraurën. Arriti të shkoj në Greqi, por të paudhët e sollën në Shqipëri. E dënuan me pushkatim. Por…

Një pikë loti rrodhi në faqen e saj dhe sikur tentoj t’ia shndrisë lëkurën e rrudhosur nga pesha e 82 viteve, ndonëse edhe tani Eglantina Golemi ta jep përshtypjen e një vajze të bukur, ku aroma dehëse e rinisë vjen e të prek si atëherë.

– Nga plumbi, rinis Eglantina kujtimet e saj, e shpëtoi motra e madhe Xhevrija. Vinte nga lufta. Ishte aktivistja numër një e rinisë në Durrës. Vlerësuar me tri medalje nga regjimi. Eh Xhevrija ime! Vdiq shumë shpejt. E kam pikë në zemër. Shkoj në veri në një aksion më duket dhe këmbët iu ënjtën, e ju bënë kangrenë. Ishte influenca e saj, që babanë ia kthyen pushkatimin me 25 vjet burgim. Bëri pesë vite, por e ndëshkuan duke mos i dhënë qoftë edhe një punë të rëndomtë. Im atë punonte në tokën e tij, që si një amanet për vuajtjet që kaloi, na e la si trashigim. Sa para bën, iku jeta e “turpi që kishte bërë sipas kohës”, na mbeti si çekan i rëndë. Unë e kam ndjerë persekucionin dhe disa ngjarje jetësore i kujtoj tani me ju, thjesht si një kronologji të kohës.

Dhe më pas çelet, sikur për të kujtuar që jemi në një ditë dhjetori, me diell e jeta gjithsesi duhet të shijohet me atë që të ofron.

– Kam qenë optimiste në jetë, përzien prushin e kujtimeve Egla. Dhe tani ndodhem në këtë stacion të kësaj jete kryesisht të trazuar me tallaze, që vinin  si “peshqesh”nga ata që na kishin në dorë. Të dalim tek ajo që na takoi së bashku, pasi Bon Kadiun e kam patur mik të vjetër dhe e respektoj pa masë për gjërat e mira që ka bërë.   I pata thënë një herë krejt padashje se”për mua nuk kujtohet njeri, sepse e kam vënë një gur në ndërtesën e notit shqiptar, parë edhe nga këto sakrifica që po ju shpjegoj”. Gjithsesi ju falenderoj për atë çka merrni përsipër të shkruani për mua.

Zbulim i Avni Zajmit

Eglantina Golemi! Data dhe viti i lindjes kanë të bëjmë me një ngjarje historike. Kur Italia nisi agresionin e saj ndaj Shqipërisë me 7 prill 1939, nënës Saliha priste urime për daljen në jetë të vajzës së dytë të derës së Golejmave. Dhe si për të konkuruar këtë dukuri historike, i shtoi jetës së saj një histori tjetër por të hareshme dhe të gëzueshme, e denjë të qendrojë si një stoli e rrallë në traditën e notit shqiptar. Vajza me origjinë nga lartësitë malore të Gjirokastrës, erdhi dhe u bë mbretëreshë e detit në Durrës, që ne në këtë shkrim krejt me përkëdheli e quajmë “vajza e valëve”. 

Kripa e detit i dha shije fizikut të saj. E ëma krahas qumështit të gjirit, e mëkonte edhe me kripën dhe jodin e detit. Dhe siç ka dëshirë të kujtoj Egla: ”pagëzimi im është bërë me ujët e detit”. Deti dhe Egla përbënin atë binom të pazgjidhshëm, sa që edhe pas karierës së pasur në not, ajo edhe sot e kësaj ditë për çdo mbrëmje, vjen e përshëndetet me “mikun” e saj të vjetër detin. U rrit në zhurmën e dallgëve, të cilat ndonëse me fuqinë e mesdetit vinin e “shplodheshin” në konakun e shtëpisë së Hajdar Golemit. Edhe kur ka patur halle me okë edhe kur jeta i ofronte gëzime e kënaqësi, ajo është ofruar pikërisht këtu tek deti, duke u rrëfyer para tij me sinqeritetin e pazakontë që e shoqëron. 

Nga viti 1951-1962 dominoi në notin shqiptar të femrave. Gati gati nuk bëntë dallim edhe nga notarët meshkuj, pasi fiziku i bëshëm, muskujt e lidhur, temperamenti shpërthyes kombinuar edhe me talentin e rrallë, e kthyen Eglantina Golemin në figurën më të spikatur të notit shqiptar. Zbulimi i saj ka qenë krejt i rastësishëm. 

Profesori emblematik i sportit jetëgjati Avni Zajmi, në një ditë korriku të vitit 1951 po ecte buzë detit. Kishte përvershur pantallonat dhe më këpucët të mbajtura në duar, prekte me kënaqësi buzëdetin nga kalonte. Në fund të plazhit, në sektorin e plepave ku ishte vendosur kampi i njohur i pionierëve “Qemal Stafa”, po luanin tërë dëshirë një grup vogëlushes. Ndërmjet tyre njëra vinte më e bëshme dhe dallohej për fuqinë dhe fizikun e lindur. Në disa gara notimi të improvizuara, fuqia e kësaj vogëlusheje gjeneronte konkurencë dhe mbidallim nga të tjerat. Zajmi i pagabueshëm harroi punët e tij dhe vëmëndjen e kishte përqendruar fort tek kjo vajzë, e cila ishte 11 vjeçarja Eglantina Golemi.

– Nuk më kujtohet, se çfarë bëri ky njeri i nderuar më pas dhe më kë foli, por mua më erdhi kërkesa për t’u marrë me not dhe konkurenca ime të mos ishte ashtu kot, por të garoja në ekipe sportive. Shoqëria “Puna” quhej ekipi që fillova të notoj. Para se të veproja i thashë nënës: Më kanë thënë të merrem me not, si thua ti? 

– Shumë mirë, ma ktheu mamaja, do të bëhesh si jot motër Xhevrija. Dhe kështu nisi rruga ime si notare. Ishta pra Avni Zajmi që më sygjeroi për t’iu “falur” ujit, të cilin e takoja herë pas here, pasi ai ishte një ndër ta që organizonte kampionatet dhe garat e notimit. 

Në Durrës Eglantina Golemi do të njihej me notaret më të rritura si Jolanda Gila, Luçie Bekridheli, Afërdita Stërmilli etj. Dhe për herë të parë do të ndiqte këshillat e 

Kristaq Bekridhelit dhe Milorad Jeremiqit. Në Durrës i thanë të notonte në dy stile: krol dhe shpinë. Kujton kur notoi për herë të parë, ishte një kampionat lokal. Vështirësitë e para, garat e para, emocionet e para. Vendi i tretë për një 11 vjeçare, ngacmoi interesimin edhe të klubit të njohur të “Partizanit”.

Nga Durrësi në Tiranë

Siç u zhvilluan ngjarjet, Eglantina Golemi mund të konsiderohej me fat, që jeta e çoi në Tiranë për të kryer studimet në teknikumin financiar. Emri i njohur i sporteve Petrit Caslli, kishte studiuar në Bashkimin Sovjetik për not dhe nuk e la me ra në “tokë” 13 vjeçaren nga Durrësi. Syri profesionist i Casllit, vuri re që Eglantinës nuk i shkonin kroli dhe shpina dhe i sygjeroi të ushtrohej në stilet bretkosë dhe batërflaj (delfin), Fiziku i veçantë i Eglës duhej vënë plotësisht në përdorim, për të përfituar sa më shumë në nivelin dhe cilësinë që kërkohej. 

Ekipi i “Partizanit”, ishte shtuar me një talente të rrallë të notit shqiptar për kohën, që i bashkohej emrit dhe famës së tiranases Makbule Llagami. Vajza e ndrojtuar e garave të para, filloi të hedh shtat dhe të besojë në forcat dhe aftësitë e veta. 

Katër vite që nisin nga 1952 dhe deri më 1955, janë galopi i paparë i notares durrsake të “Partizanit” Eglatina Golemi, e cila nuk njeh jo vetëm vende të dyta, por as rivale për t’ia diskutuar titujt e panumurt të kampiones dhe aq më pak t’i përmirësonte kohët rekord që vendoste ajo. Me “Partizanin” garonin Makbule Llagami, Asprije Veraj, Dhurata Murzaku (motra e Petrit Murzakut), Lulushe Ivanaj që shfrytëzonin të gjitha kushtet dhe privilegjet e krijuara nga klubi i “Partizanit”. Dhe ja se si e sjell atë kohë Eglantina:

– Klubi i “Partizanit” kishte një vilë luksoze, që e kishte kthyer në qendër grumbullimi të notareve. Ishte diku pranë shkollës “Gjergj Kastrioti”. Tre muajt e verës ishim aty. Kushte ideale, ëndërr për pjesën dërmuese të popullit. Trajtoheshim me normën 9 dhe në triskat që na jepnin, ishin përfshira të gjitha ushqimet. Në këto kushte ishte gjynah të mos bëje sport. 

Viti 1953 kur arrita kategorinë e parë sportive dhe për çdo garë avancoja rezultatet. Shaqir Kapexhiu që edhe ky kishte mbaruar shkollën sovjektike të notit ishte drejtues teknik, ndërsa gruaja e tij Aleksandra (Sasha) trajneria e jonë. Është rasti të shpreh respektin më të madh për këtë specialiste të notit sovjetik, ku mbetet tjetër temë e patrajtuar nga mediat tona. Dhe në vitin 1954 jam ndjerë e lumtur, kur më vlerësuan me titullin e lartë “Mjeshtre Sporti”.

Ditë të mbushura me punë, lodhje, stërvitje itensive dhe fatmirësisht me objektiva të realizuara. Emri i Eglantina Golemit po merrte dhenë. Në të gjitha garimet e stilit bretkosë dhe delfin, titulli kampion mbetej fakt i kryer. Dhe kjo ishte vajza durrsake: Eglantina Golemi. Nuk jemi të sigurtë në statistika, por zor të jetë një notar i dytë që të arrijë suksese kaq të ndjeshme dhe në një moshë shumë të re 13-15 vjeçare që të rrëmbejë të gjitha: vendet e para, titujt kampionë, rekordet kombëtare, vlerësimet e larta sportive. Eglantina Golemi është nga kapitujt më spektakolarë të notit shqiptar, madje revolucioni i këtij noti, ku në vitet e para të pasluftës e veçanërisht në dhjetëvjeçarin 1950 – 1960, është padiskutim mburoja e artë e notimit.

Garonte me djemtë

Fama dhe emri i Eglantina Golemit ishte kthyer në një mit, aq sa na vjen keq që s’kemi mundur më parë ta bëjmë heroinë të shkrimeve tona këtë talente, këtë kapitull plot shkëlqim, këtë dukuri jashtëzakonisht pikante të notit shqiptar. 

I madhi Petrit Caslli, duke e ndjerë se kishte të bënte me një zbulim të notit, i lutet gjyqtarisë së garave që Eglantina të notonte me djemtë, pasi me vajzat nuk arrinte të nxirrte në pah vlerat e saj. Rekordin kombëtar në 100 m bretkosë që e zbriti deri në 1’35”, u desh të kalonin disa dekada të përmirësohej. Edhe një e veçantë tjetër që ia vlen ta shkruash. Kur dilte Eglantina mbi zadër pas notimit, Petrit Caslli kishte vënë re një fenomen krejt të rrallë. Mushkëritë e rekordmenes durrsake ishin të palodhura dhe frymëmarrja e saj ishte ritmike dhe as kuptohej që ajo kishte bërë garë, e ishte në ngarkesë të plotë. Durrsakja e bretkosës dhe delfinit, kishte lindur për not. 

“Ne moj vajzë shfrytëzojmë fuqinë dhe forcën tëndë ta pazakontë” shprehej gjithnjë me humor Petrit Caslli. Kjo ishte Egla jonë, vajza e ëmbël durrsake që brenda zemrës dhe shpirtit të saj, rrezaton suksesin dhe lavdinë e atyre viteve, ndonëse viti 2021 po mbyll faqet e fundit të tij, rruga sportive e së cilës ende vononte të njihej në këto përmasa publikimi.

Rikthimi me “Lokomotivën”

Pasi mbaroi teknikumin financiar, Eglantina Golemi vazhdoi satudimet e larta për ekonomi financë. Si shumë sportistë të shquar të Durrësit edhe Egla me shumë dëshirë, ndryshoi uniformën nga “Partizani” në “Lokomotiva”. 

– E kam puthur fanelen e “Lokomotivës”, thotë Eglantina, jo se nuk isha ndjerë mirë tek “Partizani”, që mbetet kapitulli i formimit dhe shpërthimit tim si notare. Por kthehesha në qytetin e lindjes, ku kisha njëmijë fije të lidhura mbi të gjitha detin me erën e tij karakteristike, motrën e paharruar Xhevrijen, shokët dhe shoqet e fëmijërisë. Këtu mezi më prisnin dhe unë mbeta në mjeshtri e performancë, ajo notare që kisha qenë me “Partizanin”. Kisha mall për zadrat, për pulbardhat që më uleshin në supe. Gjeta në Durrës Afërditën, motrat Dume- Pinën dhe Violetën, Landa Gilën, Luçi Bekridhelin, Tefta Gilën, Lulushe Ivanajn etj.

Në Shqipëri në atë kohë organizoheshin krahas kampionateve lokale, që më të theksuara i kishte Durrësi, kampionatet kombëtare dhe Kupa e Republikës. Vendi organizator i evenimenteve kombëtare, nuk ishte vetëm Durrësi me zadrat e famshme të kantjerit detar, por edhe Vlora me detin e saj, Korça me pishinë 50 metërshe, liqeni i Shkodrës etj. E nisi notimin në Durrës në vitin 1951, për ta përfunduar në vendlindjen e saj të shtrenjtë më 1962. 12 vjet pranë zadrave të Adriatikut dhe Jonit, ujit të liqenit të Shkodrës dhe pishinës së Korçës dhe gjithnjë rekorde, trofe dhe vlerësime. Me “Lokomotivën” ishin kthyer edhe çifti Kapexhiu (Shaqiri dhe sovjetikja Sasha), duke e vendosur më në fund “Lokomotivën”  dominuese të notit shqiptar.

Eglantina Golemi ndjen krenari për atë që i dha Durërsit të saj, pavarësisht se mirnjohja për këtë angazhim vetmohues mungon plotësisht. Egla nuk kërkon t’i fërkosh krahët e ta mburresh se ç’bëri për vendlindjen. Ia dha me gjithë shpirt ç’ka kishte të mirë Durrësit të saj kurdoherë të pazëvëndësueshëm, e tash është koha madje ka kaluar për t’i njohur ndihmesën, për t’i njohur fëmijërinë dhe rininë të shkrirë në ujë. Eglantina Golemi nuk thotë asgjë për këtë. Me modesti pohon:

-Bëra më të mirën time, pa kërkuar kompesim që dikush ndonjë ditë të më lajë këtë “borxh”. Por një porosi e babait nuk më lë të qetë, kur gjithnjë e çoj në mëndje:”Bija ime! Gjëjë më e mirë dhe më e çmuar në këtë botë, është mirnjohja. Dhe vetëm këtë kërkoj. Mirnjohje për atë mirnjohje që i dhashë qytetit tim, sa kisha fuqinë e muskujve dhe të energjive të mia. Kjo është çështje psikologjie, mentaliteti. Në fund të fundit, kjo ndan mirnjohjen nga mosmirnjohja”

Mashtrimi me Gjermaninë

Në përfundim të kapitullit sportiv të Eglantina Golemit, mbetet një fakt domethënës për t’u nënvizuar. Diku nga viti 1958, me urdhër nga lart 5-6 notarët më të mirë të Shqipërisë u grumbulluan në qytetin e Shkodrës. Tre muaj përgatitje itensive për t’u përballur me notin ndërkombëtar. Në Gjermaninë Lindore organizohej një takim ndërkombëtar në not, me pjesmarrjen e vëndeve të demokracive popullore. Ishte planifikuar edhe Shqipëria. Përgatitjet bëheshin në liqen e Shkodrës dhe gjendja ishte e kënaqshme për notarët. Kur po afrohej dita për t’u nisur, papritur vjen lajmi se nuk do të shkohet. 

– U mërzitëm shumë, shpjegon Egla. Unë trajtohesha me biografi të keqe, pasi kisha babain në burg, por gjithsesi mbeteshim me shpresën se kjo nuk kishte lidhje me notin. Mirë që nuk na çuan, por edhe na fyen dhe përçmonin në këtë formë. S’më është dukur ndonjëherë vetja kaq pa vlerë, por kjo nuk ishte në dorën tonë.

Jeta e familjes

Mosha 82 vjeçare e Eglantina Golemit, na shtyu të thelloheshim  më shumë në jetën e saj njerëzore. Një notare cilësore dhe mjeshtre e spikatur si ajo, ia vlen të rrëmosh pak edhe në brendësinë e asaj që quhet familje dhe të afërm. Në familjen e Hajdar Golemit janë katër vajza dhe një djalë. Djali është mundësi shumë i njohur i “Partizanit” Veliçan Golemi, një nga yjet e mundjes sambo shqiptare. Fama e tij u rrit edhe më shumë kur mundi kampionin hungarez, sukses i pandodhur dhe i papërsëritur më parë. Motra e madhe Nexhmija, notare shumë e mirë e “Lokomotivës”. Simpatike, me trup të bukur dhe elegante. U largua nga jeta shumë herët. 

Dy motrat e tjera Enita dhe Teuta edhe ato janë marrë me not, por jo e niveleve të Eglantinës. E ëma Saliha ka qenë e “mbytur” tërë kohën me punët e shtëpisë dhe kujdesin ndaj fëmijve. 

Eglantina mbaroi shkollën e lartë dhe menjëherë pas saj u caktua si kryespecialiste në seksionin e tregtisë, në Komitetin Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit të Durrësit. Gjatë kohës së shkollës së lartë, njohu një artist nga Shkodra që kryente studimet për artin dramatik. Ky quhet Qemal Mehmeti. Edhe ky një artist me famë.  Lexuesit të këtyre rradhëve, sigurisht do ti kujtohet roli i Vatës në filmin mjaft të njohur “Toka Jonë”. Vata i Qemal Mehmetit, por edhe roli i Pashko Hilës tek “Operacioni Zjarri”, apo ai i Nexhip Beut tek “Këshilltarët”, mbahen mënd nga  shikuesit. 

Qemal Mehmeti caktohet me punë në Elbasan, ku së bashku me Robert Ndrenikën e shumë aktorë të njohur shqiptarë, ndihmojnë në ngritjen e teatrit “Skampa”. Vjen në Durrës, pasi në vitin 1967 martohet me Eglantinën por mbetet i papunë. Ndaj notares më të famshme shqiptare Eglantina Golemi, kishin nisur ditët e persekucionit. Transferohen në Kavajë. Qemali caktohet të punojë si regjisor një palllatin e kulturës të Kavajës, ndërsa Egla si shefe llogarie në ndërmarrje e riparim shërbimeve. Atje lindin të dy djemtë Sokoli dhe Ledioni. I pari mbaroi për ekonomist dhe i dytë Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”. 

Në vitin 1987 ndahet nga jeta, disidenti aktiv Hajdar Golemi. Eglantina kujton që në vitin 1989, Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit të Durrësit Luan Bebameto, e kishte ndihmuar për një problem delikat të jetës. 

– Babameto, kujton Egla, një burrë i lartë, ka qenë vendosur në rolin e komisarit të notit në vitin 1958 dhe më njihte shumë mirë. Dhe ma zgjidhi problemin. Sapo nisi demokracia në Shqipëri, erdhëm në Durrës dhe tjetër jetë filloi për ne. Por fatkeqësitë nuk na u ndanë. Pas vdekjes së motër Xhevrijes dhe babait, tjetër humbje e madhe. Bashkëshorti im Qemali, të cilin e  kujtoj me shumë mall, ndahet nga jeta pas kurimeve itensive në Itali. Një sëmundje e papritur dhe e padëgjuar, e largon nga gjiri ynë me 28 mars 2002. Nga ajo kohë kam punuar në ndërmarrjen e grumbullimit. 

Në vënd të mbylljes

Ky është portreti, mbase ende jo i plotë i Eglantina Golemit. Gjithsesi ky dossier mori përsipër të realizoj portretizimin më serioz dhe më të ndjerë që i është bërë asaj, duke ia njohur dhe prekur ndihmesat. Mirban Kadiu e trajtonte Eglantinën si vajza e detit, që u rrit në det dhe e shkriu talentin në det. 

Buzë mbrëmje Eglantina Golemi, kalon dhe shëtit pranë detit. E kujtimet gëlojnë, duke e përkundur në djepin gjigand të refleksionit. 

90 vjetori i notit që mund të kremtohet në një ditë të dhjetorit, e ka në plan t’i japë nderime kësaj figure emblematike në not. 

Nuk e dimë se sa mund të shtrihet kjo mirnjohje dhe më gjërë. Për Eglantina Golemin kjo s’ka rëndësi. Ajo që vlen tek ajo dhe që ndjehet e qetë është: se bëri për qytetin e saj Durrësin më të mirën, më të bukurën që kishte. 

Dhe kjo nuk është pak!

Durrës: 30 nëntor 2021