Miliona njerëz në të gjithë botën e festojnë ndërrimin e viteve, por askush si ne shqiptarët nuk ka në qendër të tryezës së asaj nate gjelin e detit dhe bakllavanë. I gatuar në forma nga më të ndryshmet, ai i jep më shumë shije orës së ndërrimit të viteve, në prani të miqve dhe të afërmve për t’i uruar ardhjen e një viti plot mbarësi, shëndet dhe lumturi. Edhe amerikanët e kanë këtë shpend simbol në Ditën e tyre të Falënderimeve. Më shumë se 45 milionë gjela deti serviren gjatë kësaj dite feste në SHBA. Por përveçse simbol i festës së Vitit të Ri, gjeli i detit është shumë i këshillueshëm edhe për vlerat ushqimore. Mjekët këshillojnë se nuk duhet të presim vetëm ditën e fundit të vitit për ta pasur në tavolinë. Ai duhet të jetë gjithnjë i pranishëm në menynë tonë ushqimore.
Është vërtet e vështirë të gjesh një lloj mishi që përshkruhet kaq shumë në recetat mjekësore, falë treshes magjike të përbërë nga proteinat, yndyrat dhe kaloritë e pakta. Një pjesë e mirë e meritës i takon mishit të bardhë i pasur me fibra, ngjyra e të cilit i detyrohet përqendrimit të pakët të mioglobinës, pigmentit që bashkë me oksigjenin është përcaktues i ngjyrës. Por më shumë se mishi i pulës dhe i lepurit, mishi i gjelit të detit ia kalon atij të viçit për sa i përket përmbajtjes së proteinave dhe sasisë së hekurit. Një studim i fundit i bërë në Nju Jork ka treguar se mishi i gjelit të detit, simboli i tavolinës së festave të fundvitit, përveçse i shijshëm është edhe shumë i shëndetshëm.
Për më tepër, vetitë e tij e bëjnë një ushqim perfekt edhe për regjimin ushqimor të fëmijëve: është lehtësisht i tretshëm dhe me shumë veti ushqyese. Mishi i gjelit të detit përmban edhe selenium që parandalon zhvillimin e kancerit, përmirëson sistemin imunitar dhe ndihmon metabolizmin e hormonit tonë të tiroides. I vlerësuar dhe i propozuar nga dietologjia moderne, sot shefat më të mëdhenj të kuzhinës përdorin variante nga më të ndryshmet për servirjen e tij. Më i miri është versioni tradicional i pjekur në furrë me pak yndyrë dhe erëza apo i mbushur me gështenja të ziera, bukë të thekur e fruta të thata. Por versionet e shefave modernë të kuzhinës thonë se rozmarina nuk duhet të mungojë gjatë pjekjes së tij dhe se mbushja mund të bëhet shumë mirë edhe me salsiçe, midhje apo kërpudha dhe tartuf.
Historia e gjelit Xhak
Gjeli Xhak ishte një ndër më të adhuruarit e Tedit, një prej djemve të Abraham Lincoln-it. Kur me rastin e Ditës së Falënderimeve Xhak ishte duke përfunduar në furrë, padroni kërkoi mëshirë për gjelin, që fatmirësisht shpëtoi nga thika. Ky episod qëndron në origjinë të ceremonisë së përvitshme të "faljes së gjelit të detit", ku Presidenti i jep lejen gjelit që të jetojë i lumtur në ndonjë fermë shpendësh. Dita e Falënderimeve, që festohet të enjten e katërt të nëntorit, është një nga festat me më shumë udhëtime të vitit. Darka ka në qendër gjelin e detit, patatet dhe ëmbëlsirën me kunguj. Shtetet e Bashkuara e shënuan zyrtarisht këtë festë në vitin 1863, megjithëse festa besohet të jetë festuar për herë të parë në vitin 1621. Amerikanët festojnë Ditën e Falënderimeve të enjten e fundit të çdo nëntori. Është kjo koha kur familjet dhe miqtë mblidhen për të dhënë bekimet e tyre. Ideja filloi në vitet 1600 pasi pelegrinët erdhën në Amerikën e Veriut nga Anglia për të filluar një jetë të re. Por shpendi që konsumojmë sot është shumë i ndryshëm nga gjeli i detit që hanin pelegrinët në shekullin e 17. Këta gjela deti kanë vetëm një ngjashmëri të vogël me gjelin e egër, që hëngrën në Darkën e parë të Falënderimeve pelegrinët në vitin 1621. Gjelat e dikurshëm nuk peshonin më shumë se 6 kilogramë. Gjelat e sotëm mund të shkojnë deri në 36 kilogramë.
Pak histori
Mendohet se gjeli i detit fsheh pas vetes një orgjinë amerikane. Pas Amerikës u përhap në Europë. Por gjeli (Meleagris gallopavo) mendohet se është “kultivuar” në Meksikë. Sipas ekspertëve të gjithë gjelat e detit, qofshin të egër, qofshin shtëpiakë, i përkasin llojit Meleagris gallopavo. Sipas legjendave që tregohen, Kristofor Kolombi ka qenë europiani i parë që e ka njohur këtë shpend kur më 14 gusht 1502, zbarkoi në brigjet e Hondurasit, kur mori disa ushqime nga vendasit e mes tyre edhe ato që ai i quajti Gallinas de la tierra.
Gjithsesi është e sigurt se mes viteve 1511 dhe 1512, gjeli i detit u transportua në Spanjë. Dokumenti i parë, që mban firmën e 24 tetorit 1511, i firmosur nga peshkopi i Valencias, tregonte për një anije që transportonte për në Sevilje 10 gjela deti për t’u riprodhuar, gjysma meshkuj e gjysma femra. Dokumenti i dytë mban datën 30 shtator 1512 dhe tregon për dy gjela deti që kanë ardhur në Spanjë nga Santa Domingo. Në Meksikë, në vitin 1570, ishte mishi më i përdorur dhe më ekonomik. I importuar nga Amerika në Spanjë, e që prej aty ai u shpërnda shumë shpejt në të gjithë Europën. Një çift gjelash u soll nga Santa Domingo në Romë, pas vitit 1520. Në vitin 1538 gjelat e detit gjendeshin në Francë. Në Angli, në mesin e shekullit XVI, gjendeshin në Norvegji, Danimarkë dhe në fermën mbretërore suedeze në vitin 1556. Në Gjermani nuk mendohet të jenë njohur para vitit 1530, por u shfaqën në një banket martesor më 1560-n. Mishi i tij i shijshëm u vlerësua shumë edhe në Europë. Aq sa në banketin e parë ku ai u përdor në Gjermani u konsumuan 150 gjela deti të pjekur. Lajmi bëri aq shumë bujë sa u shfaq në të gjitha kronikat e saj kohe.