Një breshkë uji e llojit Charetta-Charetta është gjetur e ngordhur pasditen e sotme pranë shëtitores “Taulantia” në Durrës.

Breshka mendohet se mund të ketë ngordhur disa ditë më parë, por ka dalë në breg vetëm pas stuhisë, që përfshiu gjirin e Durrësit 2 ditë më parë.

Ky nuk është rasti i vetëm, që dallgët nxjerrin në bregun e detit breshka të këtij lloji e këtyre përmasave.

Këto kafshë, dikur të përhapura në të gjithë Mesdheun, por gjithmonë e më shumë të rrezikuara nga gjuetia dhe veçanërisht ndotja e habitatit të tyre, mund të arrijë edhe një moshë 80-vjeçare, por duket se ky nuk është rasti i breshkës së ngordhur.

Nuk dihet ende, në qoftë se specia e rrallë (dhe “e mbrojtur”) e detit është mbytur nga plastika e shumtë, që ndodhet tashmë në ujërat tona, apo nga shkaqe të ndryshme që mbeten për t’u përcaktuar.

Faktike është, që ky nuk është një rast sporadik, pasi gjithnjë e më shpesh nga Durrësi raportohen ngordhjet e breshkave “gjigande”.