Në Gjykatën Themelore në Prishtinë seanca dëgjimore për këngëtarin Besart Kelmendi i njohur si Gjesti i cili akuzohet për tri vepra penale “Armëmbajtje pa leje”, “Kanosje” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë” nuk është mbajtur si shkak për mungesën e të akuzuarit.

Ndërkohë avokati i këngëtarit ka pohuar se vetë artisti nëpërmjet një mesazhi ka njoftuar se nuk mund të jetë i pranishëm në seancë.

Gjykata konstatoi se nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e seancës dëgjimore dhe në rast se i akuzuari nuk paraqitet në seancën e radhës do të lëshohet urdhër për sjellje me detyrim.

Nga ana tjetër prokuroria shtoi se Gjesti, ka arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë, prandaj atij iu ndërpe masa e paraburgimit.