Shkolla e mesme e përgjithshme “Olsi Lasko” tashmë është gati për të pritur 700 nxënësit e saj (sistemi kohë e plotë + part time) këtë vit të ri shkollor, në godinën e re të rindërtuar sipas standardeve evropiane.

Nga gjimnazet e qytetit që u përfshinë në programin e rindërtimit, vetëm “Olsi Lasko” ka përfunduar dhe më datë 11 shtator hap dyert për të nisur një sezon të ri të suksesshëm.

“Olsi Lasko” ishte pjesë e programit “BE për Shkollat”, i cili financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, i cili mori përsipër riparimin/rindërtimin e 18 objekteve arsimore në Durrës sipas standardeve evropiane, duke ofruar kushte më të mira arsimore për mijëra nxënës, fëmijë dhe mësues.

Çfarë ju pret në gjimnazin “Olsi Lasko” me standarde europiane…

Një shkollë me infrastrukturë më moderne, me kushte bashkëkohore, me kabinete dhe laboratorë (Kimie, Fizike, IT), ku nxënësit do të zhvillojnë orët mësimore për t’u orientuar drejt zgjedhjeve për të ardhmen.

Godina e re e pozicionuar në zonën e Shkozetit, është ideuar me kushte bashkëkohore, duke përfshirë klasa me hapësira më të mëdha me sistem ngrohje/ftohje, bibliotekë etj. Gjithashtu ka edhe një palestër moderne për të zhvilluar orët e edukimit fizik.

“Olsi Lasko” ofron edhe 3 gjuhë të huaja, për një të ardhme të sigurt.

Kjo shkollë me staf pedagogjik të komunikueshëm dhe që në plan të parë kanë nxënësin, ju mirëpret për të startuar dhe fituar së bashku sfidat ndaj së ardhmes!