Me dhjetëra tifozë të Romës kanë mbërritur mëngjesin e sotëm në portin më të madh në vend, me tragetet e linjës Bari-Durrës.

Për disa udhëtimi ka zgjatur shumë orë, por gjithçka ka shkuar mirë dhe ndihen entuziast që do ta ndjekin finalen e Conference League në Tiranë.

“10 orë udhëtim, por shkoi mirë. Biletën e gjeta tek website i kompanisë. Shkoi gjithçka mirë”.

“Biletën na e dhuroi Roma, meqë jemi të abonuar. Ishim me fat”.

“Kemi bërë bërë 20 orë udhëtim për të ardhur këtu. Shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë”.

Ata janë të bindur se ekipi i tyre i zemrës do të fitojë përballë skuadrës holandeze të Feyenoord-it dhe tifozët shqiptarët do t’i kenë në mbështetje të tyre.

“Do të fitojmë ne, me siguri. Shqipëria, Italia, Forca Roma”

Fiton Roma 3-1. 3-1 për Romën“,- thanë disa prej tifozëve të sapo mbërritur në portin e Durrësit.

Për të shpenzuar më pak, meqë çmimet e hoteleve këto ditë kanë arritur kulmin, disa prej tyre do ta kalojnë natën në hostele të Tiranës dhe Durrësit.

“Do ta kaloj natën në hostel, që kushton pak, sepse këto ditë hotelet kushtojnë shtrenjtë”,- thotë njëri prej tifozëve.

Finalja e Conference League mes Romës dhe Feyenoord-it do të luhet sot në mbrëmjen në orën 21.00, në stadiumin “Air Albania”.

Rreth 100 mijë tifozë pritet të jenë sonte në Tiranë, ndërsa përllogaritet që ata do të shpenzojnë diku tek 140 milionë euro gjatë ditëve të qëndrimit të tyre në Shqipëri.