Quentin Tarantino u është kundërpërgjigjur kritikëve të filmit të cilët kanë thënë se skenat e dhunshme nëpër filma kanë shkaktuar masakrën në një shkollë të Connecticut. Tarantino ka insistuar që këto komente nga ana e kritikëve janë të pasjellshme për viktimat.

 

Filmat e Tarantinos kanë qenë shpesh cak i kritikave pas shumë tragjedive, të cilat ata janë munduar që t`i bëjnë sa më të kuptimshme. Por Tarantino ua ka mbyllur gojën atyre që kanë kërkuar arsye për masakrën e muajit të kaluar në shkollën e Newtown të Connecticutit.

Kritikët kanë theksuar që glorifikimi i dhunës në filma inkurajon njerëzit e sëmurë që ato skena t`i realizojnë në jetën reale duke shkaktuar masakra, por regjisori është i bindur që për këtë nuk ka asnjë lidhje. 

Duke u frustruar për temën e dhunës nëpër filma, ai gjatë një interviste, ka thënë se ka qenë shumë i nervozuar dhe se këto reagime të kritikëve janë të dëmshme për viktimat.

“Jam shumë i inatosur. Unë mendoj që është e pasjellshme… për kujtimin… për njerëzit të cilët kanë vdekur. Çështja ka të bëjë shumë qartë me armëmbajtjen dhe shëndetin mental”, ka thënë ai.

Filmi i fundit i Tarantinos, “Django Unchained”, përmban shumë skena të përgjakshme dhe skena të dyluftimeve. Ky film është publikuar disa ditë pas masakrës në Newtown, gjatë të cilës i masakruan 20 fëmijë.